25 vjet pas 11 Shtatorit, Kosova në solidaritet me popullin amerikan

Nacionale

Një flamur amerikan, qirinj dhe një tablo me emrat e 2 mijë e 977 viktimave rikthejnë kujtimet e një prej ditëve më të dhimbshme të shekullit 21. Kanë kaluar 25 vjet, por pamjet e Kullave Binjake, tymi mbi Nju-Jork dhe dhimbja e mijëra familjeve mbeten pjesë e kujtesës kolektive. Për Kosovën, 11 Shtatori ka edhe […]

Madhësia e shkronjave

Një flamur amerikan, qirinj dhe një tablo me emrat e 2 mijë e 977 viktimave rikthejnë kujtimet e një prej ditëve më të dhimbshme të shekullit 21. Kanë kaluar 25 vjet, por pamjet e Kullave Binjake, tymi mbi Nju-Jork dhe dhimbja e mijëra familjeve mbeten pjesë e kujtesës kolektive.

Për Kosovën, 11 Shtatori ka edhe një dimension të veçantë. Një popull që vetëm dy vjet më parë kishte dalë nga një luftë, me humbje të mëdha njerëzore dhe shkatërrime të shumta, shoqata ”Miqtë e Amerikës” në Kosovë e sheh këtë përvjetor si një moment për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, por edhe një shprehje mirënjohjeje.

“Veprimi jonë është një veprim që është dasht me bë. Mendoj dhe shpresoj që institucionet e vendit dhe shoqëria civile dhe të gjithë ata që kanë një rrespkt për SHBA-në le të veprojnë sot. Me një veprim me një flamur me një postim në rrejte sociale me një fjalë të mirë me një dëshirë për tejkalimin e kësaj krize e shkaktuar nga sulmi terrorist”, tha Agim Rexhepi, nga shoqata ”Miqtë e Amerikës” në Kosovë.

Aktivitetit iu bashkua edhe shoqata “Çamëria” në Kosovë, duke shprehur mbështetjen për popullin amerikan dhe mirënjohjen për rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë e Kosovës.

“Jemi në mbështetej të popullit amerikan që t’i kujtojmë viktima që ndodhën në 2001-tën. solidarizohemi komplet populli. Fal shtetit amerikan, ne sot jemi aty ku jemi që i patëm gjithmonë në krah, nga lirimi, formimi i shtetit. Ne gjithmonë jemi më popullin amerikan do të jemi dhe kemi qenë”, tha Besim Dinolli, kryetari i Shoqatës “Çamëria” Kosovë.

Mesazhi i solidaritetit u përcoll edhe nga Ilir Mezelxhiu, një nga mbështetësit e këtij aktiviteti. “Sot qëndrojmë së bashku me popullin amerikan për të kujtuar një prej ditëve më të errëta në histori, 11 shtatorin të 2001-tës. 25 vite pas kanë kaluar, por ne asnjëherë nuk do t’i harrojmë 2977 njerëz ta pafajshëm të humën jetët e tyre atë ditë”, tha Ilir Mezelxhiu, mbështetës i aktivietetit.

Mes viktimave ishin edhe tre shqiptaro-amerikanë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Në nderim të tyre dhe të të gjitha viktimave, homazhe bënë edhe nxënës të shkollave dhe qytetarë të Prishtinës.

Edhe Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara ka shprehur solidaritetin me popullin amerikan, në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.

“25 vjet pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, Kosova qëndron në solidaritet me popullin amerikan, duke nderuar jetët e humbura dhe guximin e pjesëtarëve të ekipeve të para të shpëtimit”, thuhet në një postim të Ambasadës së Kosovës në SHBA në X.

Ambasada theksoi se Kosova dhe SHBA-ja rikonfirmojnë miqësinë e qëndrueshme dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe paqes.

Edhe Peja shënoi 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Takimit Veror Përkujtimor “Të Kujtojmë – Kurrë Mos të Harrojmë”.

Ngjarja u organizua nga Peja Peace Forum, me përkrahjen e Universitetit “Haxhi Zeka”, Komunës së Pejës dhe Rotary Club Peja, në kuadër të aktiviteteve përkujtimore kushtuar 25-vjetorit të 11 Shtatorit.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues institucionalë, akademikë, përfaqësues të organizatave dhe qytetarë, duke krijuar një hapësirë për përkujtim, reflektim dhe diskutim mbi paqen, sigurinë dhe sfidat e shoqërisë bashkëkohore.

Në kuadër të programit u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Rruga përpara: A na bën Inteligjenca Artificiale më produktivë sot – por më pak të aftë nesër?”.

Në diskutim morën pjesë Dr. Neshad R. Albani, themelues i Peja Peace Forum, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, Tina Ramirez nga Hardwired Global, kryetari i Rotary Club Peja, Ilir N. Albani, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, akademikë dhe të ftuar.