Associated Press ka përzgjedhur disa nga këngët që krijojnë atmosferën ideale në prag të finales së Kupës së Botës 2026, duke kombinuar himne zyrtare, këngë ikonike të futbollit dhe hite moderne që shoqërojnë emocionet e turneut.
Në krye të listës renditet himni zyrtar i këtij edicioni, “Dai Dai”, i interpretuar nga Shakira dhe Burna Boy. Kënga bashkon ritmet afro dhe latino në një produksion me frymë globale.
Duke folur për këtë projekt, Shakira u shpreh se futbolli ka fuqinë të bashkojë njerëz nga kultura dhe prejardhje të ndryshme.

“Futbolli është diçka që bashkon kaq shumë kultura dhe njerëz nga mjedise të ndryshme jetese”, tha ajo.
Artistja shtoi se një këngë për Kupën e Botës duhet të pasqyrojë emocionet dhe pasionin që përjetojnë tifozët në mbarë botën.
Në listë bën pjesë edhe “DNA (More Than A Game)”, kënga e interpretuar nga Andrea Bocelli, David Guetta, EJAE dhe Megan Thee Stallion, e realizuar në anglisht, italisht dhe koreanishte.
“Është një këngë shumë e gëzueshme. Mendoj se sjell fat”, tha Bocelli për Associated Press.
Mes himneve klasike të futbollit, AP veçon edhe “La Copa de la Vida (The Cup of Life)” të Ricky Martin, një nga këngët më të njohura në historinë e Kampionateve Botërore, si dhe “Waka Waka (This Time for Africa)” të Shakirës, himni zyrtar i Kupës së Botës 2010. Sipas Associated Press, këto këngë vazhdojnë të jenë shembujt më të mirë të ndërthurjes së tingujve lokalë me një apel global.
Në përzgjedhje përfshihen edhe këngë që përfaqësojnë identitetin tifoz të Spanjës dhe Argjentinës. Për Spanjën janë zgjedhur “Mi Gran Noche” e Raphael dhe “La Roja Baila”, himni i kombëtares spanjolle për Kampionatin Evropian 2016.
Ndërkohë, Argjentina përfaqësohet nga “La Cumbia de los Trapos” e grupit Yerba Brava dhe “Matador” nga Los Fabulosos Cadillacs. Listës i shtohet edhe hiti modern “Dumbai” i dyshes Ca7riel & Paco Amoroso, i cili sjell një frymë më bashkëkohore në atmosferën muzikore të turneut. /Telegrafi/





