Ish-mesfushori i Chelseat, Joe Cole, beson se klubi londinez duhet të shmangë ndryshimet rrënjësore gjatë merkatos verore dhe të fokusohet te afrimi i futbollistëve me përvojë, të cilët mund të ndihmojnë skuadrën e re në momentet vendimtare.
Cole theksoi se Chelsea nuk ka nevojë për një revolucion tjetër, por për liderë që dinë të fitojnë dhe që mund të udhëheqin lojtarët e rinj brenda dhe jashtë fushës.
“Ne nuk i dimë financat e klubit. Është e lehtë të thuhet se duhet të blihet ky apo ai lojtar, por mund të jetë e nevojshme edhe të shiten futbollistë. Megjithatë, një gjë është e sigurt: nuk duam ndryshime rrënjësore”, deklaroi ish-mesfushori i Chelseat.
Ai shtoi se lojtarët e rinj të klubit kanë ende potencial të madh, por u mungon mbështetja nga figura me eksperiencë.
“Këta lojtarë të rinj, tek të cilët klubi kishte besim tre vite më parë, janë ende të njëjtët lojtarë. Ata thjesht kanë nevojë për përvojë rreth vetes, për lojtarë që i ndihmojnë gjatë ndeshjeve, që i udhëzojnë në fushë dhe ua transmetojnë mençurinë e tyre”, vazhdoi Cole.
Ish-mesfushori i Chelseat përmendi edhe emra konkretë që, sipas tij, do të ishin të dobishëm për skuadrën londineze.
“Pastaj mund të afroni lojtarë si John Stones dhe Robert Lewandowski si transferime të lira. Ata nuk kanë nevojë të luajnë çdo minutë të çdo ndeshjeje, por e kuptojnë fitoren, e kuptojnë kulturën dhe ende mund të kontribuojnë në fushë me gjëra të vogla që bëjnë diferencën”, u shpreh ai.
Në fund, Cole nënvizoi rëndësinë e liderëve brenda dhomës së zhveshjes.
“Të gjitha ekipet e mëdha udhëhiqen nga dhoma e zhveshjes. Mençuria dhe përvoja transmetohen nga brezi në brez. Kur arrin në nivelin elitar, ke nevojë për përvojë, mençuri dhe cilësi. Kjo është ajo që i mungon Chelsea-t aktualisht”, përfundoi ish-mesfushori i Chelseat. /Telegrafi/






