Ousmane Dembele është i vendosur të përmirësojë paraqitjet e tij me fanellën e Francës, pasi është vënë nën kritika për performancat gjatë kësaj pauze ndërkombëtare.
Fituesi i Topit të Artë 2025 nuk ka arritur të shfaqë me Kombëtaren franceze të njëjtin nivel që ka treguar me Paris Saint-Germainin.
Dembele ka startuar në dy nga tri ndeshjet e Francës gjatë këtij grumbullimi, por paraqitjet e tij nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive.
Kritikat më të mëdha erdhën pas ndeshjes së fundit, me median “L’Equipe”, Dave Appadoo, që vuri në pikëpyetje diferencën mes Dembeles me PSG-në dhe atij që shihet te Franca.
“Mirëmbrëma, Ousmane, kam disa fjalë për ty. Je fituesi i Topit të Artë, por ishte një Top i Artë parisien. Ekziston një dallim shumë i madh mes asaj që prodhon me Parisin dhe asaj që vazhdon të mos e tregosh me Kombëtaren franceze”.
“Duket se nuk po arrin ta marrësh kontrollin e kësaj skuadre. Rrethanat ishin perfekte, sidomos në mungesë të Kylianit, ndërsa Zidane të vendosi në pozicionin më të mirë të mundshëm, në sulm”.
“Po rikthehesh te disa nga zakonet e tua të vjetra, me gabime teknike dhe vështirësi për t’i dërguar goditjet në kuadrat. Tani presim të shohim se çfarë do të bësh më tej. Është në dorën tënde, Ousmane”, deklaroi Appadoo.
Megjithatë, sipas RMC Sport, Dembele ka ruajtur qetësinë përballë kritikave dhe është mësuar me presionin mediatik, veçanërisht nga periudha e tij e mëparshme te Barcelona.
Pavarësisht kësaj, sulmuesi francez është i vetëdijshëm se duhet të përmirësojë paraqitjet e tij.
Raportohet se ai ka qenë i pakënaqur me performancën e tij ndaj Italisë të premten dhe beson se mund të japë shumë më tepër në përballjen e radhës ndaj Belgjikës.
Dembele tashmë dëshiron të përgjigjet në fushën e lojës. Pozita e tij mund të ndryshojë gjithashtu në sfidën ndaj belgëve, pasi ylli i PSG-së ka deklaruar së fundmi për “Telefoot” se është i gatshëm të luajë si numër 9, por edhe në krahun e djathtë.
Tashmë mbetet të shihet nëse Dembele do të arrijë të reagojë me një paraqitje të nivelit të tij më të mirë dhe t’u përgjigjet kritikave pikërisht në fushën e lojës. /Telegrafi/






