EBU ka reaguar vetëm pak ditë para edicionit të 70-të të Eurovisionit (12–16 maj në Vjenë), duke i dërguar paralajmërim televizionit izraelit KAN për shkelje të rregullave të garës.
Shkak u bë një video promovuese, ku përfaqësuesi i Izraelit, Noam Bettan, në 13 gjuhë u bënte thirrje shikuesve që të votonin 10 herë për Izraelin.

Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, konfirmoi se EBU u njoftua më 8 maj dhe brenda 20 minutash kontaktoi delegacionin izraelit, duke kërkuar që videot të ndaleshin menjëherë dhe të hiqeshin nga të gjitha platformat – kërkesë që, sipas EBU-së, u respektua menjëherë.
EBU sqaroi se videot që nxisin votimin nuk janë të pazakonta, por thirrja e drejtpërdrejtë që nga një numër të dërgohet numri maksimal i votave për një shtet është në kundërshtim me rregullat dhe me ‘frymën e garës’.
EBU shtoi se një veprim i tillë nuk pritet të ndikojë realisht në rezultatin final për shkak të numrit të madh të votave dhe faktit që 50 për qind e rezultatit vendoset nga juritë profesionale, por paralajmëroi se do të ndërmarrë masa nëse praktika përsëritet.
Pas këtij paralajmërimi, fansat në rrjete sociale rikujtuan kritikat e mëhershme të disa transmetuesve evropianë, të cilët kishin ngritur shqetësime për politizim të konkursit dhe për keqpërdorime të mundshme nga KAN.
Në diskutime përmenden edhe akuza se komentatorë izraelitë kanë bërë thirrje gjatë transmetimeve që të mos votohet për shtete që kanë kritikuar pjesëmarrjen e Izraelit si dhe pretendime për reklama online të financuara për kandidatë të mëparshëm. /Telegrafi/





