Bernardo Silva ka përjetuar ditët e para si futbollist i Real Madridit, pasi mesfushori portugez është bashkuar me klubin spanjoll si transferim i lirë pas përfundimit të aventurës te Manchester City.
Lojtari 32-vjeçar kreu kontrollet mjekësore dhe zhvilloi stërvitjet e para me skuadrën në “Real Madrid City”, nën drejtimin e trajnerit José Mourinho, para se të ndante emocionet e tij në një intervistë për televizionin zyrtar të klubit.
“Është diçka shumë e veçantë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Nuk ka nevojë të flasim shumë për këtë klub, sepse historia e tij flet vetë”, ka thënë Bernardo Silva.
Mesfushori portugez theksoi se objektivi i tij është të ndihmojë Real Madridin të vazhdojë traditën e fitoreve.

“Jam shumë i lumtur që kam filluar dhe do të përpiqem ta ndihmoj këtë ekip të vazhdojë të fitojë, diçka që ky klub di ta bëjë. Jam vetëm një lojtar tjetër këtu për të ndihmuar dhe për të vazhduar këtë seri fitoresh për këtë klub spektakolar”, u shpreh ai.
“Kur më telefonoi Real Madridi, nuk mendova dy herë”
Bernardo Silva pranoi se vendimi për t’u bashkuar me Real Madridin ishte i lehtë, pasi oferta nga klubi spanjoll ishte një mundësi që nuk mund të refuzohej.
“Kur Real Madridi më telefonoi, ishte e pamundur të mos i thoja po. Nuk u mendova dy herë”, deklaroi ai.
Portugezi shtoi se përvoja e përballjeve të shumta me Real Madridin gjatë viteve e kishte bërë të kuptonte madhështinë e klubit.
“Duke luajtur kundër Madridit kaq shumë herë, mund ta ndjesh sa mirë është të jesh këtu dhe sa imponues është Santiago Bernabéu. Të jesh afër familjes sime, afër Portugalisë dhe në një kulturë shumë të ngjashme ndihmon, por ëndrra për të luajtur për klubin më të mirë në historinë e futbollit është një privilegj”, tha ai.
Bernardo Silva foli edhe për trajnerin José Mourinho, me të cilin më parë kishte qenë kundërshtar, ndërsa tani do të punojnë së bashku.
“Kemi qenë rivalë disa herë dhe tani jemi në të njëjtën anë. Ai është një trajner që do të thotë shumë për futbollin portugez. Që kur isha i vogël kemi parë shumë ekipe të tij dhe ai gjithmonë e ka vendosur emrin e Portugalisë në nivelin më të lartë. Jam shumë i lumtur që mund të filloj dhe të mësoj prej tij”, u shpreh mesfushori.
Ai pranoi se seanca e parë stërvitore ishte e vështirë, por atmosfera në skuadër ishte shumë pozitive.
“Jam i lodhur. Stërvitja e parë ishte e vështirë, por jam shumë i lumtur që takova shokët e rinj të ekipit. Disa prej tyre i njoh mirë, pasi kam luajtur kundër tyre shumë herë. Ekipi është shumë i fokusuar dhe ky vend të jep ndjesinë e shtëpisë”, tha ai.
“Do të luaj kudo që ka nevojë ekipi”
Mesfushori portugez e përshkroi veten si një lojtar të gatshëm për t’u përshtatur në role të ndryshme.
“Jam një punëtor i palodhur, gjithmonë duke u përpjekur t’i bëj më të mirë ata që më rrethojnë. Mundohem të jem i disponueshëm në disa pozicione për të ndihmuar ekipin. Mund të përshtatem në shumë vende dhe do të jem gati për atë që i nevojitet Real Madridit”, tha Bernardo Silva.
Ai gjithashtu përmendi idhujt e tij në futboll, duke veçuar emra si Zinedine Zidane, Rui Costa dhe Luka Modrić.
“Kam shumë idhuj, por Zidane është padyshim njëri prej tyre. Gjithashtu Rui Costa për atë që ka bërë me Benficën dhe Portugalinë, si dhe Modriçi, i cili ka qenë një model i madh në fushë dhe jashtë saj”, përfundoi Bernardo Silva. /Telegrafi/





