Harvey Weinstein, ish-producenti i njohur i Hollywood-it, është dënuar me 15 vite burg, pasi një juri e shpalli fajtor vitin e kaluar për kryerjen e një akti seksual kriminal ndaj ish-asistentes së tij.
Në një deklaratë të paraqitur në gjykatë për ndikimin që ngjarja pati tek ajo, Miriam Haley tha se sulmi kishte pasur një “efekt shkatërrues në jetën dhe ndjenjën time të sigurisë, i cili mund të mos largohet kurrë”.

Weinstein u paraqit në gjykatë në një karrige me rrota. Ai i mohoi akuzat, por kërkoi falje ndaj “kujtdo që mund të kem lënduar me veprimet e mia”.
Weinstein ka kaluar tashmë gjashtë vite në burg, ndërsa çështjet gjyqësore ndaj tij kanë vijuar. Ai gjithashtu ka një dënim të veçantë për krime seksuale në Los Angeles. Në Nju Jork, ai është përballur me tre procese gjyqësore lidhur me akuzat për përdhunim dhe abuzim.
Fillimisht, ai u shpall fajtor dhe u dënua në vitin 2020 në çështjen e Miriam Haley. Por në vitin 2024, gjykata më e lartë e Nju Jorkut e anuloi dënimin, duke argumentuar se Weinstein nuk kishte pasur një proces të drejtë. Ai u rigjykua dhe vitin e kaluar u shpall sërish fajtor për sulmin ndaj Haley.
Në procesin e vitit 2020 dëshmuan tre gra: Miriam Haley, aktorja Jessica Mann dhe modelja Kaja Sokola.
Haley dëshmoi se Weinstein e kishte sulmuar në një apartament në Manhattan në vitin 2006 dhe një juri e shpalli atë fajtor për këtë akuzë.





