Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka falënderuar deputetët e Kuvendit që votuan për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe futjen e tij në rend dite, përmes procedurës së përshpejtuar.
Duke folur në seancën e Kuvendit, Hamza tha se kjo çështje, sipas tij, i tejkalon përmasat e një partie politike apo të mandatit të një qeverie, duke e lidhur atë me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Ai theksoi se “ky nuk është ligj i PDK-së”, duke u bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin në mënyrë unanime.

“Kemi besuar në drejtësi, vazhdojmë me besu në drejtësi, kërkojmë drejtësi”, tha Hamza.
Ai e cilësoi procesin e krijimit të Dhomave të Specializuara si një proces të rëndësishëm për Kosovën dhe për të gjithë deputetët që kanë marrë pjesë në vendimmarrjen për themelimin e tyre.
Hamza tha se çështja e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” përbën, sipas tij, një nga problemet kryesore të kësaj çështjeje.
Kryetari i PDK-së theksoi se iniciativa e partisë së tij nuk synon pengimin e drejtësisë apo mbylljen e Gjykatës Speciale.
“Ne nuk po kërkojmë të mos gjykohet krimi e të mos ketë drejtësi. Secila viktimë me pas të drejtën e vet me kërku drejtësi”, tha ai.
Hamza shtoi se PDK-ja nuk po kërkon mbylljen e Speciales, por kërkon, siç tha, mbikëqyrje, llogaridhënie dhe zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. /Telegrafi/





