Porsche 944 që gjiganti gjerman nuk e prodhoi kurrë: tani vjen si ‘shooting brake’, vetëm 10 ekzemplarë

Teknologji

Një kompani gjermane ka realizuar atë që Porsche nuk e ndërtoi kurrë: një 944 në version karavan. CarPoint ka transformuar modelin legjendar sportiv në një shooting brake të veçantë, të quajtur GT-K44, dhe prodhimi do të kufizohet në vetëm 10 ekzemplarë. Projekti është frymëzuar nga Artz 924 Turbo Kombi, një konvertim i realizuar nga Günter […]

Madhësia e shkronjave

Një kompani gjermane ka realizuar atë që Porsche nuk e ndërtoi kurrë: një 944 në version karavan. CarPoint ka transformuar modelin legjendar sportiv në një shooting brake të veçantë, të quajtur GT-K44, dhe prodhimi do të kufizohet në vetëm 10 ekzemplarë.

Projekti është frymëzuar nga Artz 924 Turbo Kombi, një konvertim i realizuar nga Günter Artz në fillim të viteve 1980. Artz ndërtoi rreth 20 të tilla, ndërsa themeluesi i CarPoint, Andreas Freund, kishte pasur në pronësi një prej tyre për disa muaj dekada më parë.

GT-K44 është konceptuar si një interpretim modern i asaj ideje, në bashkëpunim mes Freund dhe dizajnerit Michael Söhngen. Makina referencë e projektit është një Porsche 944 S2 i vitit 1991, me motor 3.0-litërsh, katër cilindra në linjë dhe 211 kuaj fuqi.

Ekzemplari demonstrues është lyer në ngjyrën Oak Green dhe ka interier me modelin klasik Pascha, ndërsa forma e karrocerisë ndjek skicën origjinale të Söhngen.

Transformimi i 944 është mjaft kompleks. CarPoint zgjat dhe ngre vijën e çatisë, ridizenjon pjesën e pasme të karrocerisë dhe shtyllat B, ndërsa në pjesën e pasme vendos një derë të re bagazhi dhe drita të ridizenjuara. Hapja më e madhe e pasme shoqërohet me xhama anësorë dhe xham të pasmë të prodhuar posaçërisht.

Pavarësisht ndryshimeve të mëdha në karroceri, makina ruan konfigurimin 2+2 të 944-shit, transmeton Telegrafi.

Çdo konvertim kërkon qindra orë punë, duke përfshirë prerjen dhe saldimin e karrocerisë, punimet metalike, përpunimin e sipërfaqeve dhe lyerjen e plotë të jashtme. Këto punime janë pjesë e çmimit bazë të konvertimit.

Klientët duhet të sigurojnë vetë një Porsche 944 si makinë bazë, megjithëse CarPoint mund të ndihmojë në gjetjen e një ekzemplari. Kompania rekomandon veçanërisht 944 S2 me motor atmosferik ose versionet 944 Turbo me 220 ose 250 kuaj fuqi.

Pranohen si makinat me kambio manuale, ashtu edhe ato automatike, pasi CarPoint nuk ndërhyn në sistemin e transmisionit.

Vetë konvertimi kushton 100 mijë euro pa taksa, ose rreth 119 mijë euro me TVSH-në gjermane prej 19 për qind. Çmimi është afërsisht 128 mijë dollarë dhe nuk përfshin Porsche 944 që përdoret si bazë.

Rrotat, pezullimi, interieri dhe sistemi i shkarkimit përcaktohen nga klienti, ndërsa çdo pajisje shtesë apo personalizim i veçantë faturohet veçmas.

CarPoint e përshkruan GT-K44 më shumë si një projekt të porositur posaçërisht sesa si një paketë standarde modifikimi. Ideja është e ngjashme me projektet speciale që Porsche vetë ndërton herë pas here për klientë të pasur.

Prodhimi do të kufizohet në vetëm 10 makina, një vendim i marrë qëllimisht për ta ruajtur ekskluzivitetin e projektit.

Ndryshe nga shumë reinterpretimë të tjera të Porsche-s, GT-K44 ruan arkitekturën karakteristike të 944-shit me motor të vendosur përpara dhe transmision në pjesën e pasme, duke i dhënë makinës një shpërndarje të balancuar të peshës.

Me këtë projekt, CarPoint synon koleksionistët që vlerësojnë historinë më të pazakontë të Porsche-s dhe janë të gatshëm të paguajnë një shumë gjashtëshifrore për të zotëruar një model që Porsche nuk e prodhoi kurrë zyrtarisht. /Telegrafi/