Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe bashkëshort i Albulena Haxhiut, ka reaguar lidhur me debatin e fundit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të iniciuar nga PDK-ja.
Krasniqi ka shprehur kritika edhe ndaj qëndrimit të LVV-së për këtë çështje, duke thënë se votimi i ligjit, sipas tij, mund të krijojë përshtypjen se po pranohet Gjykata Speciale.
“Me faktin që LVV po e voton këtë ligj po i bie disi që e pranon këtë gjykatë dhe kjo është tejet e rëndë për secilin aktivist që ka kundërshtuar gjykatën speciale”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka argumentuar se ndryshimet e propozuara nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale.
“Sepse, vet ky far ligji i lodhët nuk e shfuqizon gjykatën speciale të PDK-së”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka lidhur situatën aktuale me rolin që, sipas tij, PDK-ja ka pasur në themelimin e Gjykatës Speciale.
“Dhe ky është çmimi që VV po e paguan sot për tradhëtite e PDK-së dje”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka kritikuar edhe qëndrimin e PDK-së në zhvillimet e fundit, duke pyetur nëse ka ndonjë reflektim nga kjo parti.
“Dhe a po shihni reflektim të PDKsë? Askund në horizont”, ka shkruar ai.
Sipas Krasniqit, PDK-ja tash e rreth dy javë po zhvillon një qasje që ai e konsideron të rrezikshme ndaj qytetarëve, kategorive të luftës dhe faktorit ndërkombëtar. /Telegrafi/





