Ekspertët e mirësjelljes thonë se përshtypja e parë nuk krijohet nga gjestet e mëdha, por nga falënderimi, energjia pozitive dhe respektimi i ritmit të nikoqirit
Pavarësisht nëse shkoni në një mbledhje festive, në një darkë të thjeshtë me miq apo në një vizitë ku do të qëndroni për të fjetur, minutat e para pasi hyni në shtëpinë e dikujt janë më të rëndësishme sesa mund të mendoni.
Të lini përshtypje të mirë nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me sjellje të përsosura. Sipas ekspertëve të mirësjelljes, shpesh janë gjërat më të thjeshta, si shprehja e mirënjohjes, qëndrimi pozitiv dhe ndjekja e udhëzimeve të nikoqirit, ato që kanë ndikimin më të madh.
Ekspertët kanë shpjeguar se çfarë duhet të bëjë një mysafir sapo hyn në shtëpinë e dikujt.

Mirënjohja duhet të jetë gjithmonë gjëja e parë që bëni.
“Falënderojini ngrohtësisht që ju kanë ftuar”, thotë Kenzie Elizabeth, eksperte për organizimin e shtëpisë dhe themeluese e organizatës Friend of Mine. “Nëse keni sjellë një dhuratë për nikoqirin, ky është momenti i duhur për t’ia dorëzuar”.
Edhe influencuesja Kathleen Barnes ndan të njëjtin mendim: “Falënderojeni nikoqirin me një dhuratë të vogël”.
Nikoqirët shpesh kalojnë orë të tëra duke përgatitur ushqimin dhe duke rregulluar hapësirën. Një shishe verë, lule të freskëta, një ushqim i përgatitur nga ju apo një ëmbëlsirë nga pastiçeria janë gjeste të kujdesshme që tregojnë vlerësim për mundin e tyre, transmeton Telegrafi.
Është normale të dëshironi të shpjegoni pse jeni vonuar ose të ankoheni për trafikun, ditën e lodhshme apo vështirësitë që keni pasur rrugës. Megjithatë, hyrja në shtëpinë e dikujt me një listë ankesash mund ta ndryshojë shumë shpejt atmosferën e takimit.
Sipas Barnes, një nga gabimet më të mëdha në mirësjellje është “të flasësh për trafikun, lodhjen, problemet me kujdestaren e fëmijëve, stresin në punë apo vështirësinë për të gjetur parking që në 30 sekondat e para”.
Në vend të kësaj, përqendrohuni te arsyeja pse keni ardhur dhe te njerëzit që ju kanë pritur. Gjatë mbrëmjes do të ketë kohë edhe për biseda më serioze, nëse ato lindin natyrshëm.
“Mënyra se si mbërrini vendos vërtet tonin e gjithë mbrëmjes”, shton Elizabeth. “Mysafirët që hyjnë të qetë krijojnë atmosferë të mirë, ndërsa një mysafir që ankohet mund ta prishë energjinë e gjithë takimit”.
Prandaj, në shtëpinë e dikujt hyni me një dozë energjie pozitive, pikërisht ashtu siç do të dëshironit që të hynte dikush në shtëpinë tuaj. /Telegrafi/





