Një gabim i bërë krejt rastësisht i solli një çifti nga Michigan një fitim prej 136,660 dollarësh në lotari, pasi burri luajti gabimisht biletën e gruas.
Çifti nga Washtenaw County kishte dalë për të festuar një ribashkim, kur secili prej tyre bleu një biletë të lojës Club Keno, transmeton Telegrafi.
Gruaja 78-vjeçare tregoi për zyrtarët e Lotarisë së Michiganit se pas përfundimit të takimit, ata u ndalën në një tjetër lokal. Pikërisht aty ndodhi gabimi që do t’u ndryshonte mbrëmjen.

“Unë dhe burri im ishim në një restorant për një ribashkim dhe secili blemë nga një biletë Club Keno. Pas ribashkimit, u ndalëm në një tjetër bar dhe burri im, gabimisht, luajti përsëri biletën time në vend të së tij”, rrëfeu ajo.
Numrat e zgjedhur automatikisht në biletën e gruas – 07, 16, 19, 23, 25, 46, 55, 68 dhe 74 – përputheshin me nëntë nga 20 numrat e hedhur në shortin Club Keno me numër 2634271.
Çifti nuk e kishte pritur aspak atë që do të ndodhte.
“Pak më vonë, pamë në ekran të gjithë numrat e mi dhe kuptuam se kishim fituar 136,660 dollarë. Ishte krejt e papritur, por, për ta thënë shkurt, e pabesueshme! Këto para do të na mundësojnë të marrim frymë më lirshëm”, tha 78-vjeçarja.
Çifti ka treguar se një pjesë të parave të fituara planifikon ta përdorë për të ndihmuar nipërit dhe mbesat e tyre në pagesën e studimeve universitare.
Një gabim i vogël, i bërë pa dashje, u shndërrua kështu në një fitore të madhe për familjen. /Telegrafi/





