Harry Kane ka refuzuar të krahasojë veten me Erling Haaland para çerekfinales së shumëpritur të Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Norvegjisë, duke theksuar se të dy janë sulmues me karakteristika krejtësisht të ndryshme.
Kapiteni i Anglisë vlerësoi maksimalisht sulmuesin norvegjez, duke e cilësuar si një nga futbollistët më të mirë në botë, por shtoi se nuk e sheh të arsyeshme krahasimin mes tyre.
“Është e pamundur për mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Para së gjithash, mendoj se jemi lojtarë krejtësisht të ndryshëm. E di që të dy konsiderohemi sulmues, por, për të qenë plotësisht i sinqertë, është sikur luajmë në dy pozicione të ndryshme”.
“Erling ka qenë i jashtëzakonshëm, rekordi i tij i golave është fantastik. Fizikisht është një makinë, është një bishë. Finalizimi i tij është në nivelin më të lartë dhe statistikat e golave flasin vetë”.
Kane më pas shpjegoi se stili i tij i lojës është ndryshe nga ai i Haalandit.
“Unë e shoh veten si një lojtar tjetër, edhe pse shënoj të njëjtat gola. Më pëlqen ta prek topin pak më shumë, të përfshihem më shumë në ndërtimin e lojës, por gjithashtu mund të luaj si një numër nëntë klasik. Nuk mendoj se duhet ta krahasojmë veten me njëri-tjetrin”.
Në fund, sulmuesi anglez shprehu respekt të madh për yllin e Norvegjisë, duke shpresuar megjithatë që ai të mos ketë një ditë të mirë në përballjen mes tyre.
“Kam shumë respekt për të si lojtar dhe si profesionist. Natyrisht, shpresoj që nesër të ketë një ditë të qetë. Paraqitjet e tij gjatë viteve të fundit flasin vetë. Ai është një lojtar fantastik”.
Përveç rëndësisë së ndeshjes, dueli mes Kane dhe Haaland pritet të jetë vendimtar edhe në garën për Këpucën e Artë të Kupës së Botës 2026. Aktualisht, norvegjezi kryeson listën e golashënuesve me shtatë gola, ndërsa anglezi e ndjek nga afër me gjashtë realizime./Telegrafi/






