Zyra e Zonjës së Parë, Melania Trump, ka reaguar ndaj spekulimeve të mediave për marrëdhënien mes presidentit amerikan Donald Trump dhe asistentes së tij, Natalie Harp, duke i cilësuar raportimet si “qesharake”.
Harp është një nga bashkëpunëtoret më të vjetra dhe më besnike të Trumpit, ndërsa njihet edhe me nofkën “printeri njerëzor”, pasi thuhet se pothuajse gjithmonë mban me vete një laptop dhe printer portativ.
Edhe pse zakonisht qëndron larg vëmendjes së publikut, emri i saj është përmendur më shpesh së fundmi, pasi senatori nga Georgia, Jon Ossoff, e përmendi në një prej fjalimeve të tij. Ai deklaroi se Trump “dëshiron të ndërtojë sallën e tij dhe të udhëtojë me Natalie”.

Kur më vonë u pyet në emisionin “The Briefing” në MSNBC për ta sqaruar këtë deklaratë, Ossoff nuk e përmendi drejtpërdrejt Harp. Ai akuzoi Trumpin se po tërhiqet “në një flluskë asistentësh nga Krahu Perëndimor, të cilët i shërbejnë si ngushëllim dhe e bëjnë të ndihet mirë me veten”, duke lënë të kuptohet se Harp mund të jetë një prej tyre.
Pretendime të ngjashme ka bërë edhe gazetarja e “The New York Times”, Maggie Haberman. Sipas saj, Harp mban nofkën “Binkie”, një term në anglisht që përdoret për biberonin qetësues, pasi pretendohet se ajo i ofron Trumpit një ndjenjë sigurie.
Megjithatë, Marc Beckman, përfaqësues i Melania Trump, i ka hedhur poshtë këto pretendime. Në një intervistë të fundit me Stella Inger Escobedo, ai deklaroi: “Mediat liberale janë qesharake. Nuk dinë asgjë për jetën personale dhe private të Zonjës së Parë. Madje nuk shqetësohen as të na ftojnë në programet e tyre për të paraqitur sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur Zonja e Parë”.
Beckman u bëri thirrje gazetarëve që të rishikojnë mënyrën e raportimit, duke mbrojtur edhe Natalie Harp. “Ata duhet ta shohin veten në pasqyrë, sepse të gjithë po sulmojnë Natalie Harp, ndërkohë që ajo është një person punëtor, shumë i talentuar dhe inteligjent. Janë të fiksuar pas thashethemeve për familjen e parë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se mediat nuk i dinë faktet për jetën private të familjes presidenciale dhe se, sipas tij, duhet të fokusohen më shumë te arritjet e Donald dhe Melania Trump sesa te spekulimet dhe thashethemet.
Ndërkohë, raportet financiare të publikuara së fundmi nga administrata Trump tregojnë se presidenti u ka dhënë dhurata monetare katër punonjësve të Shtëpisë së Bardhë. Mes tyre është edhe Natalie Harp, e cila ka marrë 45,000 dollarë (rreth 38,000 euro).
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë BBC-së se Trump ka një traditë të gjatë të dhurimit të dhuratave të Krishtlindjeve për njerëzit pranë tij, përfshirë herë pas here punonjës dhe asistentë, si gjatë kohës në qeveri ashtu edhe më herët në sektorin privat.
Sipas zyrtarit, këto dhurata nuk kanë lidhje me detyrat zyrtare të personave që i kanë marrë dhe janë plotësisht të lejuara sipas standardeve ligjore dhe etike në fuqi. /Telegrafi/





