Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot i është drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së me një fjalim, ku bëri të ditur se propozon Vjosa Osmanin kandidate për presidente të vendit dhe bartëse të listës zgjedhore, ndërkaq kandidat për kryeministër është vetë ai.
Abdixhiku para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm tha se në këtë Këshill do të vendoset përfundimisht lidhur me bashkimin me Osmanin.

Ai tha se ky proces i bashkimit të LDK-së nuk ka të bëjë me interesa personale apo kalkulime elektorale, por me përgjegjësi politike.
“…Një listë që nuk ngërthehet mbi rehatinë politike, por mbi përgjegjësinë shtetërore. Një listë që nuk synon vetëm rezultat zgjedhor, por kthim tek ekuilibrit politik dhe institucional në Republikën e Kosovës. Në këtë propozim timin kam propozuar garën të përbashkët për President të Republikës dhe për Kryeministër të Republikës. Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me Presidenten Vjosa Osmani si kandidate për Presidente të Republikës… edhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore, dhe me mua kryetarin e LDK-së si kandidat i LDK-së për Kryeministër të Republikës”, tha ai.
Ai tutje tha se vendi nuk po shkon në zgjedhje për mungesën e shumicës, për shkak të moszgjedhjes së presidentit.
“…Ky është thelbi i krizës sonë aktuale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm kush kërkon të qeverisë, por edhe kush kërkon ta përfaqësojë shtetin si presidente. Kanë të drejtë ta dinë pse prodhuan krizë këto zgjedhje. Para se të ketë qeveri të re, Kosova duhet të ketë president të ri. Përballë këtij realiteti, nuk mund të fshihemi. Duhet t’i japim qytetarëve qartësi politike që sot, t’i japim zgjidhje që sot dhe ta përcaktojnë me votë dhe t’i ndërprenë dëshirat e destabilizuesve. Po dalim para qytetarëve me ofertë të plotë…”, shtoi Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-ja ka qenë konstruktive në proceset politike, por siç tha ai është përballë me një mendësi që nuk kërkonte zgjidhje.
“Ishte një mendësi që kërkonte gjithçka…pra kërkonte sistem, parti-shtet”, tha ai /Telegrafi/





