Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq i cili ka deklaruar se me homologun shqiptar kanë rënë dakord për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër dhe të Shqipërisë në Bujanoc.
Ish ministri Bushati në një postim në Facebook uron që ky lajm të mos jetë i vërtetë, gjersa thekson se në planin strategjik do të ishte e gabuar.

Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë.
Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri. /Telegrafi/





