Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të kontribuojë me dronë, aeroplanë luftarakë dhe një anije luftarake në një mision shumëkombësh për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Ai e bëri njoftimin pas një takimi me 40 ministra të mbrojtjes, ku u diskutua për mbështetjen e një misioni të udhëhequr nga Britania për mbrojtjen e transportit detar në këtë rrugë strategjike, e cila ndikohet nga një bllokadë iraniane.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Britania do të dërgojë pajisje autonome për pastrimin e minave, sisteme kundër dronëve, aeroplanë Typhoon dhe anijen HMS Dragon, si pjesë e një misioni mbrojtës për të garantuar lirinë e lundrimit.
Healey theksoi se misioni është “mbrojtës”, duke shtuar se synimi është rritja e sigurisë së transportit tregtar dhe ulja e ndikimit të konfliktit global.
Ngushtica e Hormuzit mbetet e kufizuar për shumicën e trafikut detar, duke shkaktuar pasoja të rënda në tregtinë globale, furnizimin me energji dhe çmimet e ushqimeve.
Ndryshe, Irani raportohet se ka hedhur mijëra mina në detin ku gjendet Ngushtica e Hormuzit. /Telegrafi/





