Brentford ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit malian Mamadou Sangare nga Lens, duke vendosur një rekord të ri në historinë e klubit.
“Bletët” kanë paguar 48 milionë euro për 24-vjeçarin, duke e bërë atë blerjen më të shtrenjtë që ka realizuar ndonjëherë klubi londinez. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Dango Ouattara, i transferuar verën e kaluar për 43 milionë euro.
Sangaré vjen në Ligën Premier pas një sezoni mbresëlënës me Lens, ku ishte një nga lojtarët kyç të skuadrës franceze. Ai kontribuoi që klubi të përfundonte në vendin e dytë në Ligue 1 dhe të fitonte Kupën e Francës, ndërsa regjistroi 33 paraqitje, tre gola dhe katër asistime.
Ish-trajneri i tij te Lens, Pierre Sage, e ka vlerësuar lart mesfushorin malian, duke theksuar aftësinë e tij për të ndihmuar ekipin në të dyja fazat e lojës.
“Ai është efektiv si në rikuperimin e topit ashtu edhe në avancimin e lojës, diçka që është e rrallë në futbollin e sotëm. Ka një marrëdhënie shumë pozitive me lojën dhe sapo merr topin kërkon gjithmonë të luajë”, u shpreh Sage.
Karriera e Sangarés në Evropë nisi te Salzburgu në vitin 2020, përpara se të kalonte në formë huazimi në disa skuadra.
Më pas ai u transferua te Rapid Vienna për 1.7 milionë euro, ndërsa vetëm një sezon e gjysmë më vonë Lens pagoi 13 milionë euro për ta transferuar. Tani, Brentford ka investuar plot 48 milionë euro për ta sjellë në Angli.
Afrimi i Sangarers vjen në një moment kur Brentford po përgatitet për largimin e Jordan Hendersonit, i cili është transferuar te Chelsea. Klubi beson se mesfushori malian do të jetë një nga figurat kyçe në projektin e ri.
Me këtë transferim, Brentford bëhet një nga tetë klubet angleze që gjatë këtij afati kalimtar kanë thyer rekordin e tyre për blerjen më të shtrenjtë në histori, një tjetër dëshmi e fuqisë financiare që vazhdon të karakterizojë klubet e Ligën Premier.
Chelsea kryeson listën me afrimin e Morgan Rogers për 138 milionë euro, ndërsa Manchester City pagoi 135 milionë euro për Elliot Anderson.
Tottenham investoi 108 milionë euro për Sandro Tonalin, Aston Villa 60 milionë euro për Johan Manzambin, Brighton 54 milionë euro për Luka Vuškovićin, Brentford 48 milionë euro për Mamadou Sangarén, Ipswich 28 milionë euro për Emersonin dhe Coventry 23 milionë euro për Loum Tchaounan. /Telegrafi/






