Mesfushori Bledian Krasniqi pas një periudhe të gjatë është pajisur me pasaportë kosovare, që nënkupton se ka të drejtë të luajë për Kosovën në ndeshje zyrtare.
Më 11 nëntor 2024, Krasniqi zgjodhi ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar, duke i dhënë lamtumirën Zvicrës, tek të cilët kishte luajtur për grupmoshat e reja.
Megjithatë, që atëherë, mesfushori me tipare sulmuese ka zhvilluar vetëm një paraqitje në fanellën “Dardane”, atë në miqësoren ndaj Ishujve Komore në qershorin e vitit 2025.
Krasniqi gjithnjë ka qenë në listën e zgjeruar të Franco Fodas dhe duket se e tëra kishte të bënte shkaku i problemeve për pasaportë, gjë që tashmë është zgjidhur.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka njoftuar së fundmi që lojtari i Zurichut e ka marrë pasaportën.
Kemi pritur me kënaqësi, këtë moment të veçantë, përzgjedhjen e Bledian Krasniqit, në Kombëtaren A të Kosovës. Blediani, tashmë është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih.
Faleminderit, Bledian, që zgjodhe Kosovën dhe që do ta përfaqësosh vendin tonë me fanellën e Dardanëve.
Urime për këtë hap të rëndësishëm dhe shumë suksese në sfidat që të presin me ekipin e Dardanëve!
Një ekip. Një fanellë. Një Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Përndryshe, Krasniqi edhe në këtë grumbullim është pjesë e listës së zgjeruar, ndërsa mbetet të shihet nëse do të jetë opsion konkret për Foden në muajin nëntor./Telegrafi/






