Begaj reagon për tensionet gjatë protestave: Dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë

Nacionale

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje. Përmes një mesazhi publik, Begaj theksoi rëndësinë e garantimit të së drejtës për protestë paqësore, duke nënvizuar se dhuna dhe përdorimi joproporcional i forcës nuk duhet të […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.

Përmes një mesazhi publik, Begaj theksoi rëndësinë e garantimit të së drejtës për protestë paqësore, duke nënvizuar se dhuna dhe përdorimi joproporcional i forcës nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike.

“E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar”, u shpreh kreu i shtetit.

Ai theksoi gjithashtu se dhuna nuk mund të përdoret si mjet për të shprehur pakënaqësinë, ndërsa kërkoi që edhe veprimet e policisë të mbeten brenda kufijve të ligjit.

“Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit”, deklaroi Begaj.

Në reagimin e tij, presidenti bëri thirrje për më shumë përgjegjësi në këtë moment, duke kujtuar se Kushtetuta dhe ligji duhet të respektohen nga të gjithë, pa përjashtim.

“Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim”, theksoi ai.

Në përfundim, Begaj u shpreh i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, duke bërë të ditur se zyra e tij do të mbetet e hapur për të rinjtë dhe të gjithë ata që dëshirojnë të shprehen, të dialogojnë dhe të kontribuojnë për të mirën e vendit.

“Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, përfundoi presidenti. /Telegrafi/

Komentet