Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhanë mbështetje politike për thellimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në çështjet e sigurisë së jashtme dhe mbrojtjes.
Në sesionin e mëngjesit të takimit ministror më 11 maj, kryediplomatët e shteteve anëtare të bllokut u takuan me gjashtë homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova në këtë takim u përfaqësua nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, sqaroi në fund të takimit se Brukseli është i gatshëm t’i mbështesë vendet e rajonit në përpjekjet për luftimin e kërcënimeve hibride dhe dezinformatave, si dhe përmes përdorimit më të madh të Instrumentit Evropian të Paqes për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të partnerëve.

Megjithatë, ministrat evropianë u kërkuan vendeve të rajonit që të harmonizohen me vlerat e përbashkëta.
“Vendet anëtare shprehën pritjen që të gjitha vendet të ecin në rrugën evropiane dhe të jenë plotësisht të harmonizuara me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, sepse në këto kohë gjeopolitike në të cilat jetojmë, kjo nuk është vetëm përmbushje formale e obligimeve, por në fakt tregon nëse e shohim botën në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Kallas.
Ajo vuri në pah se jo të gjitha vendet e rajonit janë plotësisht të harmonizuara me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.
“E dimë shumë mirë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndryshme dhe kanë pikëpamje të ndryshme për çështje të caktuara, gjë që në masë të madhe reflektohet në harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, shtoi Kallas.
Shefja e diplomacisë evropiane theksoi se partneriteti zhvillohet në të dy drejtimet, prandaj nga vendet e rajonit priten reforma të mëtejshme, respektim i sundimit të ligjit, si dhe harmonizim i qartë me politikën e jashtme të BE-së.
Nga vendet e rajonit, Serbia, që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, përkundër thirrjeve të Brukselit ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve të bllokut evropian ndaj Rusisë për shkak të luftës së në Ukrainë.





