Barcelona tallet me Real Madridin pas përplasjes fizike të Tchouamenit me Valverden

Sport

Barcelona ka përfituar nga rasti për të “thumbuar” rivalin e madh, Real Madridin, pas raportimeve sensacionale për një përplasje në stërvitje mes Aurelien Tchouamenit dhe Federico Valverdes. Historia e sherrit mes Tchouamenit dhe Valverdes ndezi rrjetet sociale të enjten, ndërsa Real Madridi u detyrua të publikojë një deklaratë ku konfirmoi incidentin dhe njoftoi se uruguaiani […]

Madhësia e shkronjave

Barcelona ka përfituar nga rasti për të “thumbuar” rivalin e madh, Real Madridin, pas raportimeve sensacionale për një përplasje në stërvitje mes Aurelien Tchouamenit dhe Federico Valverdes.

Historia e sherrit mes Tchouamenit dhe Valverdes ndezi rrjetet sociale të enjten, ndërsa Real Madridi u detyrua të publikojë një deklaratë ku konfirmoi incidentin dhe njoftoi se uruguaiani ishte dërguar në spital për trajtim pas një dëmtimi në kokë.

Valverde publikoi edhe një deklaratë të tijën ku kërkoi falje për përplasjen, por mohoi se kishte pasur grushte. Ai këmbënguli se kishte pësuar vetëm një “prerje të vogël” pasi e kishte goditur kokën në një tavolinë.

Madridi hapi procedura të brendshme disiplinore ndaj të dy lojtarëve dhe i gjobiti secilin me nga 500 mijë euro (588,500 dollarë).

Sipas raportimeve, sherri ishte kulmi i muajve të tërë tensione në dhomën e zhveshjes, ku skuadra thuhet se është e ndarë mes atyre që mbështesnin ish-trajnerin Xabi Alonso dhe atyre që kërkonin largimin e tij.

Ndërkohë, Alvaro Carreras konfirmoi më herët këtë javë raportimet se kishte qenë i përfshirë në një tjetër incident në stërvitje, ku thuhet se Antonio Rudiger e kishte goditur me shuplakë mbrojtësin e majtë.

“Lufta civile” brenda skuadrës krijon një prapavijë makthi për El Clasicon e kësaj të diele – një ndeshje që shumë madridista po e presin me frikë.

Barcelona ka nevojë vetëm për një pikë në “Camp Nou” për ta siguruar titullin e La Ligës dhe për ta dënuar Real Madridin me sezonin e dytë radhazi pa një trofe të madh.

Për ta bërë edhe më të rëndë situatën, kurrë më parë titulli nuk është konfirmuar zyrtarisht në një ndeshje El Clasico. Po ashtu, ekipi i Hansi Flick është vetëm dy fitore larg për t’u bërë skuadra e parë në La Liga që nga sezoni 1985/86 që e mbyll sezonin me rekord perfekt në ndeshjet në shtëpi.

Me Real Madridin në kaos, Barcelona dërgoi një mesazh të qartë uniteti të enjten, duke publikuar një foto të mesfushorit Dani Olmo teksa kalonte në “korridor” për të marrë “goditjet” tradicionale të ditëlindjes nga shokët e ekipit, me mbishkrimin: “duke festuar në familje”.

Në kontekstin e sherrit te Madridi, postimi i Barçës u interpretua si një “thumbim” i qëllimshëm ndaj situatës së rivalëve./Telegrafi/