Protesta e studentëve dhe të rinjve në Tiranë po mbahet për të tetën ditë radhazi. Këtë të martë, protestuesve iu bashkuan edhe pedagogë, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijojnë.
Ftesa e tij për dialog nuk u pranua nga protestuesit, të cilët hodhën karriget e vendosura para Kryeministrisë me mbishkrimin “Dialog”.
Studentë, nxënës, të rinj dhe pedagogë u mblodhën këtë të martë para Kryeministrisë në Tiranë, në ditën e tetë të protestave që nisën më 13 tetor.

Protesta vijon në shenjë pakënaqësie për gjendjen në arsim, ndërsa kërkesave të protestuesve u është shtuar edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Ndryshe nga përplasjet dhe tensionet e regjistruara gjatë ditëve të mëparshme, protestuesit u mblodhën kryesisht në një atmosferë të qetë, ndërsa marshimi i studentëve dhe pedagogëve drejt Kryeministrisë shënoi një nga zhvillimet kryesore të ditës.
Pak para nisjes së protestës, kryeministri Edi Rama vendosi disa karrige të kuqe para godinës së Kryeministrisë, mbi të cilat ishte vendosur mbishkrimi “Dialog”. Përmes këtij gjesti simbolik, Rama u bëri thirrje studentëve dhe të rinjve të ulen në tryezën e bisedimeve.
Megjithatë, ftesa nuk u pranua nga protestuesit. Disa prej tyre iu afruan karrigeve dhe i hodhën ato, duke shprehur kundërshtimin ndaj propozimit të kryeministrit.
Më herët gjatë ditës, Rama deklaroi se është i gatshëm të zhvillojë dialog me studentët, por përjashtoi kushtet që lidhen me dorëheqjen e tij. Në një konferencë për mediat, ai tha gjithashtu se, sipas tij, dhuna e regjistruar gjatë protestave nuk përfaqëson studentët dhe nxënësit në tërësi.
Protestat, të cilat fillimisht u nxitën nga pakënaqësitë për situatën në arsim, janë zgjeruar gjatë javës së fundit me kërkesa politike. Gjatë ditëve të mëparshme janë regjistruar përplasje me policinë, përdorim i mjeteve piroteknike dhe molotovëve, si dhe dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve.
Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 19 tetor, gjithsej 310 persona kishin marrë ndihmë mjekësore që nga nisja e protestave. Mes tyre janë 191 punonjës policie, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.
Në protestën e së hënës, sipas të njëjtit institucion, për ndihmë mjekësore u paraqitën edhe katër persona, mes tyre një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias ndërkombëtare. /Telegrafi/





