Abdixhiku për vrasjen e Arlinda Zekajt: I detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë, tani i detyrohemi drejtësi

Nacionale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në trajtimin e rastit të saj. Abdixhiku ka thënë se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe e kishte paralajmëruar Prokurorinë […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në trajtimin e rastit të saj.

Abdixhiku ka thënë se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe e kishte paralajmëruar Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej.

“Arlinda kërkoi të jetonte. Kërkoi mbrojtje nga shteti. Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se letra e Arlindës, e cila tashmë është bërë publike, dëshmon se ajo kishte kërkuar ndihmë para se të vritej.

“Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj. Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar”, ka deklaruar ai.

“Mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”, letra rrëqethëse e Arlinda Zekajt, tri ditë para vrasjes

Kreu i LDK-së ka kërkuar që të hetohet çdo veprim dhe mosveprim institucional lidhur me rastin, duke theksuar se secili zyrtar që është marrë me kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari.

“Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur. Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, duke thënë se mbrojtja duhej t’i ishte ofruar Arlindës sa ishte gjallë.

“Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë. Për të gjallë, mbrojtje nuk pati! Tani i detyrohemi drejtësi”, ka theksuar Abdixhiku.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike dhe thirrje për llogaridhënie institucionale.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima ishte raportuar fillimisht si rast i dhunës në familje dhe ishte intervistuar në stacionin policor në Pejë. Më vonë, policia ishte njoftuar se ajo ishte gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në Vitomiricë.

Sipas të dhënave fillestare të policisë, dyshohet se vdekja e saj është shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për vrasjen, i cili dyshohet të jetë kunati i saj, ndodhet në arrati, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. /Telegrafi/

Komentet