Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, nuk e ka fshehur pakënaqësinë me paraqitjen e skuadrës së tij në humbjen 2-1 ndaj Real Madridit në El Clásico, rezultat që i dha fund serisë prej nëntë fitoreve radhazi të katalunasve në La Liga.
Në deklaratën pas ndeshjes, gjermani pranoi se Barcelona nuk ishte në nivelin e zakonshëm fizik dhe energjetik, ndonëse vlerësoi paraqitjen e skuadrës në pjesën e dytë.
“Jo, nuk jam i kënaqur me paraqitjen. Sot u vu re se nuk e kishim gjallërinë e plotë dhe nuk ishim 100 për qind të gatshëm fizikisht. Zakonisht jemi më aktivë dhe më energjikë sesa që u shfaqëm sot. Mendoj se mund të kishim krijuar më shumë raste, por paraqitja jonë në pjesën e dytë ishte e mirë”, deklaroi Flick.
Trajneri i Barcelonës theksoi se skuadra e tij arriti të rikthehej në lojë pas rasteve të Real Madridit për ta shënuar golin e dytë. Sipas tij, barazimi 1-1 i dha Barcelonës besim se mund ta përmbyste rezultatin.
FLICK IS ONE OF US. https://t.co/EpvdwV5MN6
— FC Barcelona (@FCBarcelona) October 25, 2026
“Real Madridi pati dy raste për ta shënuar golin e dytë, por më pas arritëm të riktheheshim në ndeshje dhe ta kontrollonim rrjedhën e saj. E shënuam golin e barazimit, 1-1, i cili ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne”, u shpreh ai.
Flick zbuloi se në atë moment kishte ndier se ndeshja po shkonte në favor të Barcelonës, por gabimi në ndërtimin e aksioneve nën presionin e kundërshtarit i kushtoi skuadrës së tij.
“Në atë moment ndjeva se ndeshja po shkonte në favorin tonë dhe se ne kishim epërsinë në lojë. Por, në fund, e përsëritëm të njëjtin gabim. Teksa po përpiqeshim ta ndërtonim lojën nën presionin e kundërshtarit, Real Madridi arriti të na e merrte topin dhe të niste menjëherë një kundërsulm, nga i cili shënoi golin”, theksoi trajneri gjerman.
Megjithatë, Flick pranoi se Barcelona duhet ta pranojë rezultatin dhe të mësojë nga gabimet e bëra, duke kujtuar se humbjet janë pjesë e futbollit.
“Duhet ta pranojmë atë që ndodhi. Sigurisht, ky nuk është rezultati ideal për ne, por duhet të përballemi me këtë situatë, sepse edhe humbjet janë pjesë e futbollit”, përfundoi Flick.
Pavarësisht humbjes në El Clásico, Barcelona mbetet lidere e La Ligës me 27 pikë, e ndjekur nga Atletico Madridi me 25 dhe Real Madridi me 24 pikë. /Telegrafi/