Raportet e fundit kanë bërë të ditur se superagjenti Pini Zahavi po punon për zgjatjet e kontratave të dy klientëve të tij te Barcelona: trajnerit Hansi Flick dhe sulmuesit Robert Lewandowski.
Tani, gazetari i Sky Germany, Florian Plettenberg, raporton se Barcelona po diskuton edhe një marrëveshje të mundshme verore për mbrojtësin e Hamburgut, Luka Vuskovic, i cili po ashtu përfaqësohet nga Zahavi.
Qendërmbrojtësi në pronësi të Tottenhamit, ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha me paraqitjet shumë të mira gjatë huazimit të tij në Bundesligë këtë sezon.
Sipas raportimeve, Spurs janë të vendosur ta mbajnë atë edhe sezonin e ardhshëm dhe po planifikojnë t’ia rrisin pagën, me synimin për të shmangur interesimin e klubeve të tjera.
Talenti kroat i mbrojtjes ka qenë prej kohësh në radarët e Barcelonës, ndërsa marrëdhëniet e mira me Zahavin mund t’i japin katalanasve avantazh në garën e transferimit.
Një qendërmbrojtës i ri me fizik, qetësi në dalje me top dhe profil “modern” përshtatet me modelin e lojës që Barcelona historikisht kërkon, sidomos nëse mund të zhvillohet gradualisht pa presionin për të qenë titullar i menjëhershëm./Telegrafi/






