Aziz Yıldırım rikthehet në krye të Fenerbahçes, premton titullin dhe transferimin e Vedat Muriqit

Sport

Aziz Yıldırım është zgjedhur sërish pas shumë vitesh president i Fenerbahçes, pasi fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të klubit me 17.245 vota. Në fjalimin e tij pas fitores, Yıldırım theksoi se fituesi i vërtetë i zgjedhjeve është Fenerbahçe dhe bëri thirrje për unitet brenda klubit. “Ne nuk do të zemërohemi me njëri-tjetrin. Do të përqafohemi, sepse […]

Madhësia e shkronjave

Aziz Yıldırım është zgjedhur sërish pas shumë vitesh president i Fenerbahçes, pasi fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të klubit me 17.245 vota.

Në fjalimin e tij pas fitores, Yıldırım theksoi se fituesi i vërtetë i zgjedhjeve është Fenerbahçe dhe bëri thirrje për unitet brenda klubit.

“Ne nuk do të zemërohemi me njëri-tjetrin. Do të përqafohemi, sepse Fenerbahçja ka nevojë për unitet dhe bashkim. Kjo është një familje e madhe dhe duhet të ecim përpara së bashku”, deklaroi Yıldırım.

Presidenti i rikthyer premtoi se objektivi kryesor është rikthimi i titullit kampion në klub dhe se përforcimet e nevojshme do të realizohen shumë shpejt.

“Fjala jonë është fjalë. Kampionati. Të gjitha përforcimet e nevojshme do t’i bëjmë brenda 15 ditëve. Tifozët nuk duhet të kenë asnjë shqetësim”, tha ai.

Një nga premtimet më të mëdha të Yıldırımit gjatë fushatës zgjedhore ishte rikthimi i sulmuesit kosovar, Vedat Muriqi, në Fenerbahçe. Presidenti i ri i klubit kishte bërë të ditur se do të punojë për ta rikthyer ish-sulmuesin e verdhekaltërve në Stamboll, transferim që pritet të jetë një nga prioritetet e merkatos verore.

Përveç çështjeve sportive, Yıldırım njoftoi edhe plane për zgjerimin e stadiumit dhe projekte të reja financiare që synojnë rritjen e vlerës së klubit.

Në fund të fjalimit, ai falënderoi tifozët për besimin e dhënë dhe premtoi se së bashku me drejtuesit e rinj do ta çojnë Fenerbahçen drejt sukseseve të reja.

“Ju më zgjodhët në kongresin me pjesëmarrjen më të madhe në historinë e Fenerbahçes. Ju falënderoj nga zemra dhe ju premtoj se do t’jua shpaguajmë këtë besim me rezultate”, përfundoi Yıldırım. /Telegrafi/