Australia dhe Zelanda e Re mund të ndjekin Kanadanë drejt anëtarësimit të asociuar në BE

Bota

Australia dhe Zelanda e Re mund të jenë vendet e radhës që afrohen me Bashkimin Evropian përmes një statusi të ri të “anëtarësimit të asociuar”, pas propozimit për t’i ofruar këtë mundësi Kanadasë. Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, i tha Euronews se iniciativa për një marrëdhënie më të ngushtë me Kanadanë mund të shërbejë […]

Madhësia e shkronjave

Australia dhe Zelanda e Re mund të jenë vendet e radhës që afrohen me Bashkimin Evropian përmes një statusi të ri të “anëtarësimit të asociuar”, pas propozimit për t’i ofruar këtë mundësi Kanadasë.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, i tha Euronews se iniciativa për një marrëdhënie më të ngushtë me Kanadanë mund të shërbejë si pikënisje për bashkëpunim më të thellë me vende të tjera që ndajnë vlera dhe interesa të ngjashme me BE-në.

“Ka vende me të cilat duam ta thellojmë marrëdhënien tonë”, deklaroi Metsola, transmeton Telegrafi.

Ajo shtoi se nuk dyshon që në këtë proces mund të përfshihen edhe vende të tjera dhe se disa prej tyre mund të kërkojnë vetë një afrim me BE-në.

“Në kohë të tilla pasigurie, të kesh miq ka rëndësi”, tha Metsola.

Metsola e përshkroi “anëtarësimin e asociuar” si një rrugë të ndërmjetme mes anëtarësimit të plotë në BE dhe statusit të vendit kandidat.

Megjithatë, ajo pranoi se detajet teknike të këtij modeli janë ende në fazat e hershme të diskutimit.

Sipas saj, një marrëdhënie e tillë mund të përfshijë zgjerimin e tregtisë, qasje më të madhe në lëndët e para kritike dhe harmonizim të rregullave në fusha ku vendet partnere kanë interesa të përbashkëta.

Mes fushave të mundshme ajo përmendi edhe rregullat për rrjetet sociale dhe mbrojtjen e të miturve.

Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së.

Kryeministri kanadez Mark Carney po kërkon marrëdhënie më të afërta me Brukselin në një kohë kur Kanadaja po përballet me tensione tregtare me SHBA-në, partnerin e saj më të madh ekonomik.

Ottawa po përpiqet të reduktojë varësinë nga tregu amerikan, ndërsa Carney ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh mes fuqive të mesme.

BE-ja ka tashmë marrëveshje tregtare me Australinë dhe Zelandën e Re, ndërsa me Kanadanë ka në fuqi marrëveshjen gjithëpërfshirëse të tregtisë CETA, të nënshkruar në vitin 2016.

Këto marrëveshje mund të shërbejnë si bazë për ndërtimin e një modeli më të gjerë bashkëpunimi.

Propozimi i BE-së për Kanadanë ka shkaktuar gjithashtu reagim nga presidenti amerikan Donald Trump.

Trump tha se mund të shqyrtojë vendosjen e tarifave të reja ndaj Bashkimit Evropian nëse afrimi mes Kanadasë dhe BE-së do të kthehej në një veprim “armiqësor”.

Aktualisht, Uashingtoni dhe Brukseli kanë një marrëveshje tregtare sipas së cilës shumica e mallrave të BE-së përballen me një tarifë prej 15 për qind në tregun amerikan.

Metsola i minimizoi kërcënimet, duke theksuar se BE-ja i sheh marrëdhëniet me Kanadanë, SHBA-në, Australinë dhe Zelandën e Re në mënyrë të veçantë.

Ajo tha se Bashkimi Evropian nuk synon të veprojë kundër ndonjë vendi, por të forcojë bashkëpunimin e bazuar në rregulla.

Edhe Komisioni Evropian e ka përshkruar nismën si një përpjekje për forcimin e partneriteteve dhe jo si një veprim kundër ndonjë pale.

Ndërkohë, kryeministri kanadez Mark Carney pritet t’i drejtohet Parlamentit Evropian të enjten në Strasburg, në një fjalim që pritet të fokusohet te marrëdhëniet e ardhshme mes Kanadasë dhe Evropës. /Telegrafi/