Atentati i dështuar në Elbasan, flet i akuzuari: U hakmorra për vëllanë e plagosur

Nacionale

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i dështuar i ndodhur një ditë më parë në një lokal në hyrje të Elbasanit, ku shënjestër ishte 50-vjeçari Ermir Kërtezi. Për ngjarjen është arrestuar 52-vjeçari Poli Boriçi, i cili, sipas burimeve nga hetimi, ka deklaruar se motivi i sulmit lidhet me një ngjarje të ndodhur rreth 15 […]

Madhësia e shkronjave

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i dështuar i ndodhur një ditë më parë në një lokal në hyrje të Elbasanit, ku shënjestër ishte 50-vjeçari Ermir Kërtezi.

Për ngjarjen është arrestuar 52-vjeçari Poli Boriçi, i cili, sipas burimeve nga hetimi, ka deklaruar se motivi i sulmit lidhet me një ngjarje të ndodhur rreth 15 vite më parë.

Para hetuesve, Boriçi mësohet të ketë pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij vite më parë, duke i shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore. Sipas këtij versioni, ngjarja e së shtunës erdhi si akt hakmarrjeje për atë ngjarje.

Një tjetër version vjen nga Ermir Bitoci (Kërtezi). Sipas të dhënave të para hetimore, Kërtezi ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar prej vitesh dhe se dy familjet jetonin në të njëjtën lagje pa pasur konflikte për rreth 15 vite.

Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera, përfshirë mundësinë e një konflikti më të fundit mes autorit të dyshuar dhe personit tjetër. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e saktë të ngjarjes dhe për të rindërtuar dinamikën e atentatit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:40 të së shtunës, në një lokal në hyrje të Elbasanit, i cili në atë moment ishte i mbushur me klientë. Atentati nuk shkaktoi viktima, pasi arma e përdorur dyshohet se nuk funksionoi në momentin kur i dyshuari tentoi të qëllonte.