Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, kanë arrestuar të dielën në Zveçan personin me inicialet I.M., nën dyshimet për kryerjen e disa veprave penale.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, I.M. dyshohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese” dhe “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”.
I dyshuari është arrestuar pas ndërmarrjes së një sërë veprimesh hetimore.

“AI.M. dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të ndërmarrin veprimet e nevojshme procedurale në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.
Ndryshe, protestat e serbëve në veri të Kosovës në maj të vitit 2023, kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat e veriut, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.
KFOR-i kishte deklaruar se sulmet ishin “të paprovokuara dhe krejtësisht të papranueshme”.
Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet e vitit 2023 në Zveçan, duke thënë se ato u kryen nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”./Telegrafi/





