Arsenali ka siguruar finalen e Ligës së Kampionëve pas fitores në ndeshjen e kthimit ndaj Atletico Madridit në “Emirates”. Pas barazimit 1-1 në takimin e parë në “Metropolitano”, londinezët fituan sonte ndeshjen e dytë 1-0 dhe e mbyllën gjysmëfinalen me rezultat të përgjithshëm në favorin e tyre.
Ndeshja nisi me dy ekipet që kërkonin hapësira, por ishin shumë të kujdesshme në fazën mbrojtëse.
Ndeshja u vendos në fund të pjesës së parë, kur Bukayo Saka realizoi në minutën e 44-t, duke shfrytëzuar rikthimin e topit pas pritjes së Oblak ndaj goditjes së Trossard.
Goli i Sakas i dha qetësi Arsenalit dhe e detyroi Atleticon të kërkonte më shumë rrezik në pjesën e dytë.
Atletico e nisi fraksionin e dytë duke tentuar të rrisë presionin dhe kërkoi edhe penallti në minutën e 51-të, kur Giuliano Simeone ra në zonë, por gjyqtari Daniel Siebert i hodhi poshtë menjëherë protestat.
Arsenali pati edhe një rast të mirë në minutën e 66’, kur Viktor Gyökeres goditi pas një topi të ngritur, por tentativa e tij kaloi ngushtë mbi traversë.
Në anën tjetër, Simeone vazhdoi me zëvendësime në minutën e 66’, duke i nxjerrë nga loja Julián Alvarez dhe Antoine Griezmann, të zëvendësuar nga Thiago Almada dhe Alex Baena, në përpjekje për të gjetur energji dhe ide të reja në sulm.
Megjithatë, Arsenali menaxhoi mirë avantazhin, mbajti ritmin e lojës dhe nuk lejoi që Atletico të krijonte raste të pastra në minutat vendimtare.
Me këtë fitore në “Emirates”, Arsenali vulos kualifikimin dhe kalon në finalen e Ligës së Kampionëve, duke kurorëzuar një rrugëtim të madh evropian pas dy ndeshjeve të forta ndaj ekipit të Simeones. /Telegrafi/






