Ish-trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, është shfaqur si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e klubit saudit Al Ahli, raporton gazetari Ben Jacobs.
47-vjeçari po konsiderohet si zëvendësues i mundshëm i Matthias Jaissle, i cili sipas raportimeve është pranë emërimit si trajner i ri i Newcastle United.

Edhe pse Al Ahli nuk e ka konfirmuar ende largimin e Jaissle, drejtuesit e klubit kanë nisur të shqyrtojnë alternativat në rast se gjermani largohet.
Megjithatë, sipas raportit, Slot preferon të vazhdojë karrierën e tij në Evropë dhe nuk e sheh Arabinë Saudite si destinacionin e radhës.
Liverpooli u nda me trajnerin holandez në fund të sezonit 2025/26, duke i dhënë fund bashkëpunimit dyvjeçar në “Anfield”.
Së fundmi, Slot u përfol edhe si kandidat për të marrë drejtimin e Kombëtares së Holandës, por negociatat thuhet se ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kohëzgjatjen e kontratës.
Al Ahli e mbylli sezonin 2025/26 në vendin e tretë në elitën e futbollit saudit./Telegrafi/





