Argjentina ka arritur një marrëveshje verbale me Lionel Scalonin për vazhdimin e bashkëpunimit deri në vitin 2031, sipas raportimeve të ESPN.
Sipas raportit, të dyja palët ranë dakord për një zgjatje afatgjatë të kontratës përpara mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kupën e Botës 2026, megjithëse ende nuk është nënshkruar asnjë kontratë zyrtare.
Mësohet se Scaloni ka kërkuar që të gjitha diskutimet rreth së ardhmes së tij të shtyhen deri pas përfundimit të turneut, pasi fokusi i tij i plotë mbetet te mbrojtja e titullit botëror me Argjentinën.

Marrëveshja do ta mbante 48-vjeçarin në krye të Albicelestes edhe gjatë Kupës së Botës 2030, e cila do të organizohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, ndërsa ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai.
Përballja e së premtes ndaj Kepit të Gjelbër në fazën e 1/16 së finales do të shënojë gjithashtu një moment të veçantë për Scalonin, pasi ai do të drejtojë Argjentinën për herë të 100-të.
Që nga marrja e detyrës pas largimit të Jorge Sampaolit në vitin 2018, Scaloni e ka shndërruar Argjentinën në një nga kombëtaret më dominuese të futbollit ndërkombëtar, duke fituar katër trofe madhorë.
Nën drejtimin e tij, Argjentina fitoi Kupën e Amerikës në vitin 2021, duke i dhënë fund pritjes 28-vjeçare për një trofe të madh, përpara se të triumfonte në Kupën e Botës 2022 në Katar. Më pas erdhën edhe triumfi në Finalissima 2022 dhe mbrojtja e titullit në Kupën e Amerikës 2024.
Forma e shkëlqyer e kampionëve në fuqi ka vazhduar edhe në Shtetet e Bashkuara, ku Argjentina e mbylli grupin në vendin e parë pas fitoreve ndaj Algjerisë, Austrisë dhe Jordanisë.
Një fitore ndaj Kepit të Gjelbër do t’i dërgonte kampionët e botës në çerekfinale, ku do të përballeshin me fituesin e duelit mes Australisë dhe Egjiptit./Telegrafi/





