Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ia ka bërë të qartë Dani Ceballos se nuk bën pjesë në planet e tij për gjashtë ndeshjet e fundit të sezonit, teksa madrilenët kërkojnë të mbajnë gjallë shpresat e pakta për titull.
Mesfushori 29-vjeçar është lënë jashtë skuadrës së Real Madridit për sfidën ndaj Real Betisit të premten mbrëma, në një ndeshje ku “Los Blancos” synojnë ta ulin sërish diferencën me Barcelonën në gjashtë pikë.
Ceballos, i cili është rritur pranë Sevillës dhe ka dalë nga akademia e Real Betisit, është përfolur shpesh për një rikthim te “Los Verdiblancos”.
Duke qenë potencialisht në sezonin e tij të fundit me Real Madridin dhe në shansin e fundit për të luajtur në Sevilje si lojtar i madrilenëve, vendimi i Arbeloas për ta lënë jashtë edhe pse është plotësisht i gatshëm fizikisht, pa dyshim do ta godasë. Cadena Cope ka konfirmuar se vendimi është teknik dhe nuk lidhet me gjendjen e tij shëndetësore.
Përveç Ceballos, mungon në udhëtim edhe mesfushori kyç Aurelien Tchouameni, për shkak të një shqetësimi muskulor.
Edhe pse kjo dukej se do ta rriste nevojën për përforcime në mesfushë, Arbeloa vendosi të përfshijë nga Castilla mbrojtësin Diego Aguado, si dhe një treshe mesfushorësh: Thiago Pitarch, Jorge Cestero dhe Manuel Angel, në vend të Ceballos.
Këtë verë pritet që Real Madridi të tentojë ta largojë Ceballos, i cili ka edhe një vit të mbetur në kontratë.
Deri tani këtë sezon, Ceballos ka luajtur vetëm 810 minuta në 22 paraqitje, duke startuar vetëm në shtatë ndeshje./Telegrafi/






