Angelina Jolie shet rezidencën e saj dhe largohet nga ShBA-ja: Për mua, është fundi i një epoke

Magazina

Angelina Jolie po përgatitet për një ndryshim të madh në jetën e saj. Pasi të gjashtë fëmijët e saj janë tashmë të rritur, aktorja 51-vjeçare ka në plan të largohet nga Los Angelesi dhe të kalojë një pjesë të kohës në vende të ndryshme të botës. Për planet e saj të reja ajo ka folur […]

Madhësia e shkronjave

Angelina Jolie po përgatitet për një ndryshim të madh në jetën e saj. Pasi të gjashtë fëmijët e saj janë tashmë të rritur, aktorja 51-vjeçare ka në plan të largohet nga Los Angelesi dhe të kalojë një pjesë të kohës në vende të ndryshme të botës. Për planet e saj të reja ajo ka folur në një intervistë të re për “L’Officiel”.

Jolie ka lindur në Los Angeles, ku edhe ka rritur gjashtë fëmijët e saj – Maddox, 24 vjeç, Pax, 22, Zahara, 21, Shiloh, 20, si dhe binjakët Knox dhe Vivienne, të cilët tashmë janë 18 vjeç.

Aktorja kishte deklaruar më herët se, për shkak të situatës familjare pas divorcit nga Brad Pitt, nuk kishte mundur të largohej nga Los Angelesi derisa fëmijët e saj më të vegjël të bëheshin madhorë. Tani, me Knox dhe Vivienne që kanë mbushur 18 vjeç, kjo pengesë nuk ekziston më.

Një nga shenjat më të qarta se ajo po përgatitet të largohet nga qyteti erdhi në maj, kur Jolie nxori në shitje pronën e saj në Los Feliz të Los Angelesit për 29.85 milionë dollarë.

“Për mua, kjo shënon fundin e një periudhe”, ka thënë Jolie, duke iu referuar ndryshimeve që e presin.

Largimi nga Los Angelesi, megjithatë, nuk do të thotë se aktorja tashmë ka zgjedhur një adresë të re të përhershme. Përkundrazi, Jolie thotë se e tërheq ideja për të jetuar mes disa vendeve të ndryshme.

“Do të doja të kisha një shtëpi për familjen time, një vend ku të jenë fotografitë dhe kujtimet e familjes. Por më pas do të doja të jetoja për një kohë si nomade”, ka shpjeguar ajo.

Një rol të rëndësishëm në planet e saj do të ketë Kamboxhia, vend me të cilin Jolie është e lidhur prej më shumë se dy dekadash. Ajo ka një shtëpi atje dhe ka bërë të ditur se dëshiron t’i rikthehet më shumë punës në terren, si dhe angazhimit përmes fondacionit të saj.

“Shtëpia ime në Kamboxhia do të shërbejë gjithashtu për disa muaj në vit si rezidencë e dedikuar kulturës khmere”, ka thënë aktorja.

Jolie planifikon t’i kushtojë më shumë kohë edhe projektit të saj të modës, “Atelier Jolie”, të cilin dëshiron ta zgjerojë përtej Shteteve të Bashkuara. Pas lokacionit të parë në New York, një prej vendeve të ardhshme mund të jetë Brazili.

“Gjithmonë kemi shpresuar që Atelier të bëhej një projekt global. Brazili mund të jetë lokacioni i parë që do ta hapim jashtë SHBA-së”, ka deklaruar ajo.

Ideja e saj, siç shpjegon, është të udhëtojë në pjesë të ndryshme të botës dhe të bashkëpunojë me artistë dhe krijues vendas.

Për Jolie, largimi nga Los Angelesi nuk do të nënkuptojë thjesht zhvendosjen nga një qytet në tjetrin, por fillimin e një mënyre krejtësisht të re jetese – me më shumë udhëtime, qëndrime në Kamboxhia, angazhim humanitar dhe zhvillimin e markës së saj në vende të ndryshme të botës. /Telegrafi/