Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar pasditen së enjtes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 16:30, kur policia ka pranuar një informatë për një mjet të dyshuar në këtë lokacion.

Pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, duke siguruar perimetrin e zonës dhe duke nisur trajtimin e rastit.
“Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet përkatëse policore, të cilat po trajtojnë informatën dhe po kryejnë kontrollet e nevojshme”, ka bërë të ditur Pllana.
Deri në këto momente nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me natyrën e mjetit të dyshuar apo nëse është gjetur ndonjë pajisje shpërthyese.
Policia pritet të dalë me informacione shtesë pas përfundimit të kontrolleve.





