Aksioni i pazakontë i Francës bëhet viral: Futbollistet formuan “rrethin” në zonë dhe më pas shënuan

Sport

Kombëtarja e Francës U20 në konkurrencën e femrave ka siguruar kualifikimin në fazën nokaut të Kampionatit Botëror për të reja, por vëmendjen më të madhe e ka marrë për një aksion të pazakontë të ekzekutuar pas një goditjeje nga këndi. Franca e përfundoi fazën e grupeve në vendin e parë, pasi mposhti Ekuadorin dhe Ganën, […]

Madhësia e shkronjave

Kombëtarja e Francës U20 në konkurrencën e femrave ka siguruar kualifikimin në fazën nokaut të Kampionatit Botëror për të reja, por vëmendjen më të madhe e ka marrë për një aksion të pazakontë të ekzekutuar pas një goditjeje nga këndi.

Franca e përfundoi fazën e grupeve në vendin e parë, pasi mposhti Ekuadorin dhe Ganën, ndërsa ndaj Koresë së Jugut u nda me barazim.

Megjithatë, ajo që bëri xhiron e rrjeteve sociale ishte një skemë e veçantë e përgatitur nga futbollistet franceze gjatë ndeshjes ndaj Ganës.

Në takimin që Franca e fitoi me rezultat të thellë 4-0, ndërsa njëra prej lojtareve po përgatitej të ekzekutonte kornerin, disa prej bashkëlojtareve të saj u rreshtuan brenda zonës së kundërshtarit dhe formuan një “rreth”.

Lojtaret ganeze u dukën të befasuara dhe të dekoncentruara nga kjo lëvizje, duke humbur nga vëmendja Justine Rouquet.

Kjo e fundit përfitoi nga hapësira e krijuar, u shkëput drejt portës pas krosimit nga korneri dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.

Aksioni i pazakontë tërhoqi menjëherë vëmendjen në rrjetet sociale, duke u shpërndarë gjerësisht për shkak të mënyrës kreative se si Franca e realizoi golin. /Telegrafi/