Real Madridi mendon për pasuesin e Courtois, portieri i njohur i vetëofrohet klubit

Sport

Klubi madrilen ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së portierit belg, por ndërkohë po mendon edhe për pasardhësin e tij dhe një emër i ri ka dalë në skenë. Thibaut Courtois (34 vjeç) vazhdon të jetë një nga portierët më të mirë në botë. Gardiani belg ishte sërish vendimtar në debutimin e Real Madridit […]

Madhësia e shkronjave

Klubi madrilen ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së portierit belg, por ndërkohë po mendon edhe për pasardhësin e tij dhe një emër i ri ka dalë në skenë.

Thibaut Courtois (34 vjeç) vazhdon të jetë një nga portierët më të mirë në botë. Gardiani belg ishte sërish vendimtar në debutimin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve 2026/27 kundër Interit, duke bërë disa ndërhyrje të jashtëzakonshme.

Skuadra italiane pati raste për të shënuar më shumë gola, por ndërhyrjet e Courtois e mbajtën portën e madrilenëve të paprekur.

Kontrata aktuale e belgut skadon më 30 qershor 2027, por ideja e klubit dhe e lojtarit është që bashkëpunimi të vazhdojë edhe për të paktën një sezon tjetër.

Sipas raportimeve të Diario AS, marrëveshja që Courtois të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” deri në fund të sezonit 2027/28 është praktikisht e mbyllur, mbetet vetëm nënshkrimi i dokumenteve dhe njoftimi zyrtar.

Megjithatë, drejtuesit e Real Madridit e dinë se duhet të mendojnë edhe për të ardhmen. Për këtë arsye, klubi po monitoron disa portierë dhe së fundmi në radar ka dalë një tjetër emër.

Gregor Kobel i është ofruar Real Madridit

Sipas Diario AS, Real Madridi ka marrë një ofertë për Gregor Kobel (28 vjeç), portierin zviceran të Borussia Dortmundit.

Kobel ka qenë ndër portierët më të spikatur në Evropë gjatë dy sezoneve të fundit. Vetëm në sezonin e kaluar, ai e përfundoi sezonin me 20 ndeshje pa pësuar gol, duke dhuruar një seri paraqitjesh mbresëlënëse.

Për më tepër, 28-vjeçari ka marrë edhe rolin e portierit të parë të Zvicrës, duke pasuar Yann Sommerin.

Për momentin, Real Madridi po e vëzhgon nga afër situatën e tij, por nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.

Kobel mund të largohet nga Borussia Dortmundi gjatë verës së ardhshme, pasi kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2028.

Portieri zviceran synon të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierë dhe të transferohet te një klub ku do të ketë mundësi të luftojë për trofeun e Ligës së Kampionëve.

Nëse Real Madridi arrin në përfundimin se Kobel është portieri ideal për të pasuar Courtois, atëherë klubi madrilen pritet të hidhet në sulm për transferimin e tij në afatin kalimtar të verës së vitit 2027. /Telegrafi/