Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish pasi ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, në të cilin do të kërkohet shkarkimi i tij nga pozita e kryetarit.
Abdixhiku ka thënë se ky është Kuvendi i katërt i LDK-së gjatë pesë viteve të tij në krye të partisë, duke theksuar se në tri raste ka dalë vetë para anëtarësisë për të kërkuar besimin e saj.
Sipas tij, në këtë rast kërkesa për shkarkim është bërë në mënyrë të njëanshme, ndërsa ka theksuar se një praktikë e tillë nuk ka ndodhur më parë në historinë 37-vjeçare të LDK-së.

“E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.
Megjithatë, ai ka thënë se e pranon procesin në emër të demokracisë, edhe në rastet kur nuk e konsideron të drejtë.
“Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njëjtë edhe të tjerët pas të enjtes kur LDK flet përsëri”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka bërë thirrje ndaj delegatëve të LDK-së që të qëndrojnë, duke shprehur bindjen se Kuvendi i Jashtëzakonshëm mund t’i japë partisë qartësinë që, sipas tij, i ka munguar.
“Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë!”, ka shkruar ai.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet të enjten, më 30 korrik.
“Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, ka përfunduar Abdixhiku.





