Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, tha se nuk është e përfshirë në nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku.
Para mbledhjes së Kryesisë të LDK-së, Lushaku e quajti LDK-në shembull të të gjitha partive dhe sipas saj duhet të ketë dialog të brendshëm.
“Jo nuk jam e përfshirë dhe faktikisht jemi në një fazë, ku LDK-ja duhet të bëjë analizën e zgjedhjeve dhe të zgjidhet ky problem me dialog të brendshëm. Kështu e kemi bërë edhe më herët, nuk është çështje nënshkrimesh, është diskutimesh të brendshme dhe ka dallime në qasje normale, por duhet gjithmonë të vendoset në të mirën e partisë dhe interesi i përgjithshëm është partia dhe Kosova. Ne jemi shembull për krejt partitë në Kosovë, prandaj duhet të përkujdesemi që demokracia e brendshme të jetë mbi çdo interes dhe person. Në të ndryshme mund të diskutojmë gjithçka”, tha Lushaku.
Edhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Visar Azemi para mbledhjes së Kryesisë së këtij subjekti politik, tha se nuk ka shkarkim të kryetarit kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
“Nuk ka shkarkim të Abdixhikut e as të askujt. Do të diskutojmë për rezultatin e fundit dhe tema të tjera”, tha shkurt Azemi.
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati beson se Lumir Abdixhiku nuk do të shkarkohet nga delegatet e kësaj partie.
Ai para nisjes së mbledhjes së kryesisë së LDK-së, tha se kjo asnjëherë nuk ka qenë praktikë e partisë.
“I kemi marrë qëndrimet mbas mbledhjes besoj do të jemi të përgatitur me i marrë qëndrimet që dalin prej mbledhjes së kryesisë. Nuk e besoj, nuk e besoj që delegatët e LDK-së kanë me e shkarkuar kryetarin, s’ka pasur kurrë si praktikë. Nuk ka shkarkim, ka iniciativa demokratike, të cilat njerëzit kanë drejtë me i marrë edhe me u vazhduar me një procedurë deri sa të mbërrijnë me i finalizuar, nëse mbërrijnë”, tha ai.
Ai u bën thirrje edhe personave që kanë kërkuar shkarkimin e kryetarit të LDK-së, që t’i “thërrasin mendjes” dhe të ulen tensione të tilla brenda partisë.
“Besoj shumë që njerëzit, një pjesë e njerëzve që janë pjesë e kësaj iniciative të cilët kanë, sot e 37 vjet që merren me aktivitet në LDK kanë një thirrje të qartësisë edhe të mendjes edhe me i ulë një farë forme këto tensione që i kanë ngritur gjatë këtyre ditëve, se besoj që të njëjtit kanë drejtë si sekretar me kërkuar”, tha ai. /KP/






