Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në vend, ambasadorin Dirk Schuebel.
Kryeministri Kurti theksoi se Kosova është e përcaktuar dhe është duke punuar me përkushtim për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nëpërmjet një procesi të bazuar në merita.
Ai shtoi se Republika e Kosovës është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, sikurse ndan vizionin dhe vlerat e njëjta, e po ashtu ka shënuar përparim të qëndrueshëm në forcimin e demokracisë, të drejtat dhe liritë e njeriut, sundim të ligjit etj.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e stabilitetit institucional në funksion të Agjendës së Reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilat janë të natyrës ligjore dhe kërkojnë Kuvend funksional.
Po ashtu, kryeministri Kurti foli edhe për zhvillimin ekonomik, investimet gjithnjë në rritje dhe programet e qeverisë që rrisin mirëqenien, zhvillimin e punësimin.






