Katie Zacharia, e cila u largua nga posti i zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë pas vetëm pesë ditësh, ka reaguar publikisht pas përfundimit të shkurtër të mandatit të saj, duke shprehur vlerësime për presidentin amerikan, Donald Trump.
Në një postim në rrjetin social X, Zacharia e përshkroi Trumpin si një njeri të sjellshëm, të mrekullueshëm, fisnik, të vëmendshëm, entuziast dhe punëtor.
Vetëm pas pesë ditësh në detyrë, Trump shkarkon sekretaren e shtypit të Shtëpisë së Bardhë
Ajo tha se dëshironte që më shumë amerikanë ta vlerësonin presidentin, duke shtuar se askush nuk do ta bëjë Amerikën të madhe në mënyrën se si e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë Trumpi.
“Ka qenë nder të punoja për të”, shkroi Zacharia.
Në një deklaratë për The Wall Street Journal, ajo gjithashtu mbrojti punën e saj, duke thënë se kishte bërë gjithçka që ishte në fuqinë e saj për të zhvilluar konferencën për media, pavarësisht kohës së kufizuar dhe informacionit që kishte në dispozicion. Sipas saj, synimi ishte t’i shërbente Trumpit dhe popullit amerikan sa më mirë që mundej.
Zacharia u emërua në këtë detyrë më 9 tetor, si zëvendësuese e Karoline Leavitt. Megjithatë, konferenca e saj e parë për media u kritikua për kohëzgjatjen e shkurtër dhe përgjigjet e pakta ndaj gazetarëve.
Paraqitja e parë e zëdhënëses së re të Trumpit bëhet virale
Ajo u përball edhe me kritika lidhur me kualifikimet e saj profesionale, pasi pranoi se nuk e kishte kaluar provimin e jurisprudencës në Kaliforni, ndonëse ishte prezantuar si avokate.
Trump kishte deklaruar më herët se i kishte sugjeruar Zacharias ta rishqyrtonte qëndrimin në këtë detyrë, duke vënë në dyshim nëse ajo do të ishte e lumtur në një post kaq të vështirë. /Telegrafi/






