Dizajneri Etnik Shala prezanton “ARKA” në Paris – mbyll sfilatën me elemente të UÇK-së

Magazina

Dizajneri nga Kosova, Etnik Shala, ka prezantuar në Paris koleksionin e tij të ri “ARKA”, i frymëzuar nga tradita, kujtesa dhe identiteti shqiptar. Koleksioni SS27 u prezantua në kuadër të Javës së Modës në Paris, ku Shala solli në pasarelë një rrëfim të ndërtuar përmes veshjeve, detajeve dhe elementeve që lidhen me trashëgiminë shqiptare. “ARKA” […]

Madhësia e shkronjave

Dizajneri nga Kosova, Etnik Shala, ka prezantuar në Paris koleksionin e tij të ri “ARKA”, i frymëzuar nga tradita, kujtesa dhe identiteti shqiptar.

Koleksioni SS27 u prezantua në kuadër të Javës së Modës në Paris, ku Shala solli në pasarelë një rrëfim të ndërtuar përmes veshjeve, detajeve dhe elementeve që lidhen me trashëgiminë shqiptare.

“ARKA” lidhet me atë që shqiptarët kanë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi, duke ndërthurur elemente të së kaluarës me një qasje bashkëkohore.

Por momenti më i veçantë erdhi në fund të prezantimit, kur vetë kreatori u shfaq në pasarelë me kapelen dhe jelekun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dalja e tij u prit me emocion nga shqiptarët e pranishëm në sallë.

Për ta, ky moment mori një kuptim që shkonte përtej një prezantimi të zakonshëm.

Në një skenë ndërkombëtare si Parisi, Shala zgjodhi ta mbyllte prezantimin me një simbol të lidhur drejtpërdrejt me historinë e Kosovës.

Kështu, “ARKA” nuk mbeti vetëm një koleksion i prezantuar në pasarelë, por u shndërrua edhe në një mënyrë për të përcjellë një histori, një kujtesë dhe një pjesë të identitetit shqiptar.

Një moment që, mes publikut ndërkombëtar, solli emocion të veçantë për shqiptarët. /Telegrafi/