E frymëzuar nga legjenda shqiptare e Kostandinit dhe Doruntinës, “BESA” e ekipit OLL KORRECT ka hyrë në ‘shortlist’-in e ‘Higgsfield Global Film Festival’.
Pas përfundimit të votimit publik, filmi kalon në fazën vendimtare të vlerësimit nga juria ndërkombëtare, në një garë globale të filmit me inteligjencë artificiale me fond total çmimesh prej një milion dollarësh.
Një nga rrëfimet më të njohura të traditës shqiptare po gjen një formë krejtësisht të re të tregimit.
“BESA”, filmi i realizuar nga ekipi “OLL KORRECT”, sjell në ekran legjendën e Konstandinit dhe Doruntinës, duke përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale për ta ndërtuar vizualisht një histori që në qendër ka një koncept thellësisht shqiptar: fjalën e dhënë.
Filmi është përfshirë në ‘shortlist’-in e “Higgsfield Global Film Festival”, një garë ndërkombëtare për filma të realizuar brenda ekosistemit të platformës Higgsfield.
Festivali ka një fond total prej 1 milion dollarësh, ndërsa fituesi i vendit të parë shpërblehet me 500 mijë dollarë. Vendi i dytë merr 200 mijë dollarë, i treti 100 mijë dollarë, ndërsa 100 mijë dollarë të tjera ndahen për Audience Choice Award.
Dhjetë filma të tjerë do të marrin nga 10 mijë dollarë si Honorable Mention.
Në qendër të “BESA”-s është historia e Kostadinit, i cili i premton nënës se do ta sjellë motrën e tij, Doruntinën, përsëri në shtëpi.
Por kur vdekja duket se e bën të pamundur përmbushjen e këtij premtimi, rrëfimi kalon nga drama familjare në një dimension tjetër: besa e dhënë bëhet më e fortë se vetë vdekja.
Pikërisht kjo ide e bën historinë lehtësisht të kuptueshme edhe për një publik që nuk e njeh traditën shqiptare.
Në thelb, “BESA” nuk është vetëm tregim për një zakon apo një koncept kulturor lokal.
Është histori për përgjegjësinë, familjen, humbjen dhe peshën e një premtimi.
Kur AI bëhet mjet për të treguar kulturën
Ajo që e bën projektin veçanërisht interesant është mënyra se si është përdorur inteligjenca artificiale.
Sipas ekipit, koncepti, skenari, regjia, montazhi dhe përpunimi vizual janë realizuar nga njerëzit, ndërsa AI është përdorur si mjet për gjenerimin e materialit vizual dhe të elementeve muzikore.
Secila skenë është ndërtuar dhe montuar veçmas, duke ndjekur vizionin e ekipit. Kjo e vendos projektin në një pikë interesante të debatit aktual për inteligjencën artificiale në industrinë kreative.
Në vend që teknologjia të jetë vetë historia, te “BESA” ajo përdoret si instrument për ta realizuar një histori që ekziston prej brezash.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga elementet më të forta të filmit.
Në një hapësirë të mbushur me filma AI që eksplorojnë botë futuriste, science-fiction apo fantazi, “BESA” kthehet te folklori, arkitektura, kostumet dhe simbolika shqiptare.
Nga një legjendë shqiptare në një festival global
Sipas raportimeve për projektin, “BESA” është futur në Top 50 të garës mes mijëra projekteve të paraqitura në festival.
Vetë Higgsfield e liston “BESA”-n mes filmave të festivalit nën profilin ollkorrect.
Por hyrja në shortlist nuk nënkupton vetëm ekspozim.
Filmat që arrijnë në këtë fazë vlerësohen sipas katër kritereve kryesore: Directing & Storytelling – qartësia narrative, impakti emocional dhe këndvështrimi kinematografik;
Visual Craft – kompozimi, kinematografia, ndërtimi i botës dhe koherenca e imazheve të gjeneruara me AI;
Sound & Editing – dizajni i zërit, muzika, ritmi dhe montazhi;
Originality & Concept – ambicia kreative, origjinaliteti i idesë dhe mënyra se si përdoret mediumi i ri.
Për “BESA”-n, kriteri i fundit mund të jetë veçanërisht interesant.
Sepse filmi nuk përpiqet thjesht të demonstrojë se çfarë mund të gjenerojë inteligjenca artificiale.
Ai përpiqet të tregojë se çfarë historie mund të tregojë një autor shqiptar me këtë teknologji.
Sipas kalendarit zyrtar të festivalit, procesi i shortlist-it përfundon më 5 tetor, teksa vlerësimi nga juria zhvillohet nga 6 deri më 11 tetor 2026.
Fituesit pritet të shpallen në javën e fundit të tetorit.
Përveç çmimeve të jurisë, filmat konkurrojnë edhe për Audience Choice Award, që ndahet në bazë të votave të vlefshme të komunitetit të Higgsfield.
Pavarësisht rezultatit përfundimtar, hyrja e “BESA”-s në këtë garë shënon një shembull interesant të mënyrës se si një histori lokale mund të marrë formë globale përmes teknologjisë së re.
Një legjendë e transmetuar për breza, një koncept thellësisht shqiptar dhe një medium që deri para pak vitesh nuk ekzistonte.
Nga Kostandini dhe Doruntina te kinemaja e inteligjencës artificiale – “BESA” po e çon një rrëfim shqiptar në një skenë krejtësisht të re.






