Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me debatet e fundit politike, duke kundërshtuar, siç thotë, përpjekjet për vendosjen e emrave të deputetëve të saj në një rresht me deputetët e Listës Serbe.
Në reagimin e saj, LDK-ja e ka cilësuar këtë qasje si “përpjekje për linçim publik dhe kërcënim politik”, duke theksuar se qëndrimi i saj bazohet në parime dhe përgjegjësi institucionale.
“Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, qëndrimi i saj lidhet me bindjen se iniciativa të ndjeshme duhet të kenë efekt të qartë juridik dhe të jenë të koordinuara me aleatët ndërkombëtarë.
“Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike”, thuhet më tej.
Partia ka theksuar gjithashtu identitetin e saj politik dhe historik, duke përmendur trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, orientimin euroatlantik dhe veprimtarët e saj të vrarë, familjet e të cilëve, sipas LDK-së, ende presin drejtësi.
“Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi”, thuhet në reagim.
LDK-ja ka deklaruar se e konsideron luftën e UÇK-së si të shenjtë, ndërsa kërkimin e drejtësisë për viktimat si detyrim.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi”, thuhet në reagim.
Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje partive politike dhe liderëve të tyre që të tregojnë përgjegjësi dhe të ndalin, siç shprehet, gjuhën e linçimit.
“Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë”, përfundon reagimi./Telegrafi.





