Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Haziri e ka cilësuar Isufajn si “luftëtarin më të madh të korrupsionit”, ndërsa ka kritikuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
“Republika nuk e duron mentalitetin parti-shtet!”, ka shkruar Haziri.
Sipas tij, qasja ndaj institucioneve të pavarura ka nisur me shkarkimin e ish-kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, dhe më pas ka vazhduar me bordet e ndërmarrjeve, komisionet e pavarura, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ambasadorët dhe konsujt, si dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Haziri ka thënë se shkarkimi i Isufajt vjen në një moment kur, sipas tij, pritej të gjendej një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit me konsensus.
“Ushtari i lirisë, besimtari i shtetit të së drejtës dhe luftëtari më i madh i korrupsionit sot u ndal. Por çdo ndalje mund të jetë vetëm pika e rikthimit të madh. Kosova ka nevojë për besë e shpresë, e jo për shkarkime të njerëzve më të mirë e autoritativë që kishte sistemi i drejtësisë”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka përsëritur qëndrimin se, sipas tij, institucionet e Republikës nuk duhet të funksionojnë nën një “mentalitet parti-shtet”.






