Mucunski ka kërkuar takim me ministren bullgare të Punëve të Jashtme, Petrova-Çamova

Rajon

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme konfirmoi se sot është kërkuar zyrtarisht një takim mes ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministres bullgare të Punëve të Jashtme, Velislava Petrova-Çamova. Takimi pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Sofje, në kuadër të takimit ministror kushtuar Korridorit 8. […]

Madhësia e shkronjave

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme konfirmoi se sot është kërkuar zyrtarisht një takim mes ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministres bullgare të Punëve të Jashtme, Velislava Petrova-Çamova. Takimi pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Sofje, në kuadër të takimit ministror kushtuar Korridorit 8.

Kryeministri Hristijan Mickoski më herët, në konferencën e përbashkët për media në Shkup me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se kishte marrë këshillë prej saj se si të çonin përpara procesin e dialogut me Bullgarinë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me propozimin që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes, Mickoski tha se hapi i parë duhet të jetë zhvillimi i një takimi zyrtar bilateral mes ministrave të jashtëm të dy vendeve.

“Ministri ynë i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme javën e ardhshme do të jetë në Sofje, ndërsa arsyeja për këtë është Korridori 8 dhe projektet që po i realizojmë në kuadër të këtij korridori. I kërkova ministrit të dërgojë notë diplomatike dhe të kërkojë një termin për takim me homologen e tij, në mënyrë që të fillojmë dhe ta çojmë përpara procesin”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian kanë diskutuar hapur për sfidat në marrëdhëniet me fqinjin lindor, duke nënvizuar se Maqedonia e Veriut pret një perspektivë të qartë evropiane në këmbim të vendimeve që kanë pasoja afatgjata për vendin.

Sipas Mickoskit, qëllimi nuk është shtyrja e procesit të integrimit evropian, por krijimi i kushteve që ai më në fund të ecë përpara mbi një bazë stabile dhe të qëndrueshme.