Një fluturim i kompanisë Delta nga Barcelona për në Boston bëri një ulje emergjente pasditen e së dielës në Porto të Portugalisë, njoftoi kompania ajrore.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fluturimi DL251 u devijua drejt Portos pas raportimit për një problem mekanik dhe u ul aty në mënyrë të sigurt, tha kompania.
Të dhënat e fluturimit nga shërbimi i gjurmimit Flightradar24 treguan se aeroplani u nis nga Barcelona në orën 15:15 dhe u ul në Porto në orën 17:45.
Si pasojë, bëhet e ditur se tetë pasagjerë që ndodheshin në bordin e Airbus A330 morën ndihmë mjekësore në pistën e aeroportit “Francisco Sá Carneiro” në Porto.
Ndërkohë, tre të tjerë u dërguan në spital për trajtim, tha me telefon për Reuters një zëdhënës i autoritetit portugez të emergjencave dhe mbrojtjes civile.
Ulja e detyruar ndodhi për shkak të tymit në kabinë, shtoi zëdhënësi portugez. /Telegrafi/






