Grabitësit e varreve që plaçkitën “vazo milionëshe”

Histori

Ishte një nga veprat më të bukura të artit që kishte blerë ndonjëherë MET-i. Por, ishte nxjerrë nga toka nga një grabitës italian varresh dhe më pas ishte kontrabanduar në ShBA. Në vitin 1975, BBC-ja hetoi tregtinë fitimprurëse globale të antikiteteve të vjedhura. Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: ‘This is a story about buried […]

Madhësia e shkronjave

Ishte një nga veprat më të bukura të artit që kishte blerë ndonjëherë MET-i. Por, ishte nxjerrë nga toka nga një grabitës italian varresh dhe më pas ishte kontrabanduar në ShBA. Në vitin 1975, BBC-ja hetoi tregtinë fitimprurëse globale të antikiteteve të vjedhura.

Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: ‘This is a story about buried treasure’: The 1970s tomb raiders who plundered ‘million-dollar pots’) Përkthimi: Telegrafi.com

Në shtator 1972, Muzeu Metropolitan i Artit i Nju-Jorkut (MET) bleu një vazo të lashtë greke për 1.2 milion dollarë [9.6 milion dollarë ose 8.44 milionë euro sot]. E krijuar rreth vitit 515 p.e.s. dhe e nënshkruar nga piktori Eufroni, ajo konsiderohet një nga shembujt më të mirë të mbijetuar të qeramikës së lashtë greke. “Që nga ky çast, historitë e artit do të duhet të rishkruhen”, u mburr drejtori i MET-it – pasi u njoftua shitja – duke pretenduar se vazoja ishte një nga dy ose tri veprat më të bukura të artit që muzeu kishte pasur ndonjëherë.

Por, shumë shpejt pati akuza se vazoja ishte nxjerrë ilegalisht nga toka dhe ishte kontrabanduar në ShBA, duke i dhënë nofkën “vazoja e nxehtë”. Një reporter i BBC-së, John Percival, ndoqi gjurmët e saj deri te varret nëntokësore të një nekropoli pak jashtë Çerveterit, në Itali, ku thuhej se e kishte nxjerrë një grabitës profesionist varresh ose tombarolo. Dhe, emocioni i krijuar nga çmimi i saj bëri që në zonë të kishte përsëri aktivitet. “Grabitësit italianë po ndjekin vazot miliondollarëshe”, tha Percivali. “Policët italianë po ndjekin grabitësit”.

Duke folur në emisionin e BBC-së, Treasure Trail [Shtegu e thesarit] në vitin 1975, Percivali e përmblodhi situatën: “Kjo është një histori për thesarin e groposur, për arin, argjendin dhe gjërat e çmuara të fshehura në tokë shumë kohë më parë. Është për hajdutët që gërmojnë për to natën, për tregtarët që i kontrabandojnë përtej kufijve, për koleksionistët dhe muzetë e mëdhenj që veprojnë si marrës të mallrave të vjedhura”.

“Shkatërrimi fillon në vendin ku gjendet objekti”, i tha BBC-së Dr. Nusin Askari, eksperte në Muzeun e Stambollit. “Ai thyhet në mënyrë që, në fund, të mund të shitet me çmim më të lartë dhe që të mund të transportohet e të kontrabandohet më lehtë jashtë vendit”. Në përpjekjen për të kontrolluar tregtinë e antikiteteve të vjedhura në zonën e Çerveterit, një ekip i posaçëm policor u trajnua për artin e lashtë, duke ndjekur leksione nga një ekspert në Muzeun “Villa Giulia” të Romës. Megjithatë, gërmimet ilegale ishin të vështira për t’u patrulluar dhe vazhdonin të shfaqeshin diçka si gropa gjigante të shpërndara nëpër fushat italiane.

“E gjithë zona është e mbushur me qindra varre që mund të hapen lehtësisht”, tha Percivali i ulur galiç pranë një grope të porsahapur që ishte shfaqur atë mëngjes. Ishte një varr i hershëm etrusk, me sende varri jo aq të pasura sa ato të gjetura në disa varre të mëvonshme, dhe grabitësit kishin lënë pas shumë fragmente që nuk ia vlente të merreshin.

Lexo po ashtu: – “Indiana Jonesi i vërtetë” që gjeti një qytet të lashtë e të humbur të inkasve – Zbulimi mahnitës i varrit të Tutankamonit – Pse gratë në Spartë duhej të mësonin të zhveshura (ndërsa burrat shikonin) – Çfarë mendonin për seksin, gratë e antikitetit? – Enigma Mesopotamisë – gara për të deshifruar gjuhët e lashta – A i ke parë ndonjëherë ngjyrat e skulpturave të lashta? – Egjiptianët e lashtë dhe bota e përtejme – Përgjigja e Irakut për piramidat e Egjiptit

Në një zonë aty pranë – gjithashtu të plaçkitur nga grabitësit e varreve – vazot etruske të nxjerra nga gërmimet ilegale ishin grumbulluar në oborrin e një muzeu. Pranë tyre ishte një grumbull shufrash të gjata metalike, ose kiavi, të cilat grabitësit i përdornin si sonda për tokën, duke kërkuar vende të zbrazëta në shkëmbin bazë të butë.

Megjithatë, disa grabitës varresh kishin pajisje më të sofistikuara. “Në ditët e sotme, ka disa në dispozicion pajisje elektronike shumë të mira dhe këta njerëz i përdorin ato”, i tha BBC-së eksploruesi amerikan Howard Jennings, duke përshkruar veprimtarinë e kërkuesve të thesareve në Amerikën e Jugut në atë kohë. “Kjo shmang një sasi të madhe gërmimesh, nëse mund të lokalizosh objekte metalike, dhe pikërisht objektet metalike janë ato që këta njerëz i kërkojnë në përgjithësi, sepse ari kontrabandohet më lehtë jashtë vendit sesa qeramika e madhe”.

Ai shpjegoi se si përcaktohej vlera e plaçkës në një mënyrë të drejtpërdrejtë. “Çmimi me shumicë i artefakteve parakolumbiane të arit është rreth 15 herë sa pesha e tyre në ar. Pra, nëse kuratori i një muzeu pranon t’i blejë, objektet prej ari thjesht peshohen dhe bëhet një shumëzim mbi bazën e 15-fishit të asaj peshe, dhe kështu bëhet pagesa”.

Ndonëse ligjet që atëherë janë bërë më të rrepta, situata të cilën Jenningsi e përshkroi në vitin 1975 kishte pothuajse një atmosferë të Perëndimit të Egër. “Ka zona të mëdha të Amerikës së Jugut, veçanërisht në Ekuador, të cilat janë krejtësisht të paeksploruara dhe të pashënuara, dhe është shumë e lehtë që një person thjesht të zhduket në xhungël për muaj të tërë në zona ku ka, fjalë për fjalë, qindra tuma varrimi”, tha ai. “Ata mund të punojnë atje pa pasur fare rrezik që autoritetet t’i gjejnë. Dhe, qëndrojnë derisa të kenë siguruar gjithçka që mendojnë se mund ta kontrabandojnë jashtë vendit, pastaj dalin dhe largohen”.

Sipas Jenningsit, shitja e antikiteteve të kontrabanduara ishte e lehtë. “Ka kërkesë të madhe për to. E vetmja gjë që muzetë, shtëpitë e ankandeve, tregtarët dhe koleksionistët privatë duan të dinë është: a është autentik ky artefakt? Pasi të jetë përcaktuar se është antikitet autentik, nuk bëhen pyetje të tjera”.

Megjithatë, vendet e pasura me zona arkeologjike kanë miratuar ligje që ndalojnë eksportin e antikiteteve. Dërgesat ilegale kapen rregullisht nga autoritetet dhe shumë artefakte të vjedhura u janë kthyer vendeve të tyre të origjinës. “Vazoja e nxehtë” e MET-it iu kthye Italisë në vitin 2008, pasi u zbulua se kishte kaluar nëpër duart e kontrabandistit të antikiteteve, Giacomo Medici – i dënuar në vitin 2005 për trafikim objektesh të plaçkitura. “Por, për sa kohë që ka treg”, tha Percivali, “plaçkitja e së kaluarës vazhdon”.

“Nga hajdutët vrasës të tempujve në Indi te plaçkitësit e kishave në Bolivi e deri te bandat prej njëqind vetash të grabitësve të varreve në provincën Laoning të Kinës, plaçkitësit po e shfrytëzojnë të kaluarën tonë si një minierë sipërfaqësore”, thuhej në një artikull të National Geographic të vitit 2016, duke argumentuar se “imazhet satelitore, sekuestrimet e policisë dhe dëshmitë nga terreni tregojnë që të gjitha se tregtia e thesareve të vjedhura po lulëzon në mbarë botën”.

E gjithë kjo plaçkitje e dëmton njohjen tonë të historisë sonë. “Ka rëndësi, sepse po shkatërron njohuritë”, i tha BBC-së kuratori i muzeut, Nick Thomas. Plaçkitja e çfarëdo lokacioni arkeologjik, “qoftë tempull madhështor apo një varr i vogël me vetëm dy ose tri vazo dhe një skelet … thjesht po shkatërron njohuritë për të kaluarën tonë të cilat mund t’ia përcjellim së ardhmes”. /Telegrafi/