Vetëm një zgjidhje e negociuar mund t’i japë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pasi presidenti amerikan Donald Trump refuzoi publikisht propozimin e Teheranit për rihapjen e ngushticës së Hormuzit.
Trump tha se propozimi iranian “nuk është i pranueshëm”, duke pretenduar se Teherani kërkon një marrëveshje që do të mundësonte hapjen e ngushticës për transportin tregtar brenda shtatë ditësh, sepse, sipas tij, Irani “po humbet keq”.
Në një reagim në Telegram, Araghchi tha se Teherani e kishte dëgjuar qëndrimin e Trumpit, por ende pret një përgjigje zyrtare dhe përfundimtare të SHBA-së përmes ndërmjetësve. Ai kujtoi se presidenti amerikan ka bërë edhe më parë deklarata kontradiktore dhe tha se Irani do të marrë vendimin e radhës pasi të marrë qëndrimin zyrtar të Uashingtonit.
Araghchi theksoi se kushtet e Iranit për rihapjen e Hormuzit janë të njëjta me ato të përfshira në një memorandum mirëkuptimi të arritur mes dy vendeve në qershor, transmeton Telegrafi.
Teherani ka thënë se gjatë kontakteve diplomatike në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork ka propozuar njëkohësisht rihapjen e ngushticës dhe përfundimin e luftimeve.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz. Trafiku në këtë rrugë është reduktuar ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës në shkurt, duke ndikuar në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
“Po e refuzoj marrëveshjen e tyre”, deklaroi Trump, duke shtuar se SHBA-ja tashmë ka “kontroll të plotë” mbi ngushticën. Sipas tij, kufizimi i transportit përmes Hormuzit ka kontribuar në rritjen e fortë të çmimeve të naftës dhe karburanteve.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se mosbesimi i krijuar nga lufta duhet të kapërcehet në mënyrë që negociatat të kenë sukses. Ai deklaroi se Irani është i gatshëm të diskutojë zbatimin gradual të memorandumit të qershorit, por kërkoi garanci se SHBA-ja nuk synon rrëzimin e qeverisë iraniane.
Pezeshkian tha se Uashingtoni e kishte “grisur” marrëveshjen kur rifilloi fushatën e bombardimeve ndaj Iranit, duke vënë në pikëpyetje nëse dialogu mund të funksionojë nëse marrëveshjet e shkruara nuk respektohen.
I pyetur edhe për liderin suprem iranian, Mojtaba Khamenei, Pezeshkian tha se ishte takuar me të dy herë dhe se nuk kishte probleme të vazhdueshme shëndetësore, duke deklaruar se ai kishte qenë në gjendje të zhvillonte rreth shtatë orë bisedime.
Ndërkohë, Omani, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues mes Uashingtonit dhe Teheranit, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e krizës dhe garantimin e lundrimit të sigurt në Hormuz.
Qëndrimi i Trumpit u mbështet edhe nga ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, i cili e cilësoi ofertën iraniane si “gjysmë-masa” dhe marrëveshje që, sipas tij, synojnë të krijojnë një imazh pozitiv për Teheranin në skenën ndërkombëtare.
Në planin ekonomik, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se presioni i sanksioneve ndaj Iranit po rritet. Ai përmendi kufizimet ndaj linjave ajrore iraniane dhe ndërprerjen e disa transaksioneve bankare në Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Administrata Trump e ka quajtur fushatën e saj të presionit ekonomik ndaj Iranit “Operation Economic Outcast”, duke synuar të kufizojë të ardhurat dhe lidhjet financiare të Teheranit për ta detyruar të ndalojë sulmet ndaj anijeve në zonën e Hormuzit.
Megjithatë, efektiviteti i këtyre masave mbetet i debatueshëm, veçanërisht për shkak të rolit të partnerëve tregtarë të Iranit. Kina, blerësi më i madh i naftës iraniane, ka vazhduar të zhvillojë marrëdhënie tregtare me Teheranin edhe përballë sanksioneve të mëparshme amerikane.
Për momentin, përplasja kryesore mes dy palëve mbetet te kushtet e një marrëveshjeje: Irani kërkon lehtësimin e presionit ushtarak dhe ekonomik përpara rihapjes së plotë të Hormuzit, ndërsa Uashingtoni kërkon një marrëveshje që i plotëson kushtet amerikane përpara se të ofrojë lehtësime ndaj Teheranit.






